BE-ja pret nga Serbia t’i mbështesë sanksionet ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjen ndaj të gjitha shteteve kandidate, duke përfshirë edhe Serbinë, që të përshtaten me vendimet e bllokut sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero, tha të hënën se “nga vendet kandidate, siç është Serbia” presin që “t’u bashkohen qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se në rastin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, nga të gjitha vendet partnere dhe mike të bllokut evropian, presin që të mbështesin sanksionet.

“Mendoj se kjo vlen për të gjithë miqtë, fqinjët dhe vendet partnere. Ne besojmë se jemi në moment historik dhe është koha që të merren hapa. Kërkojmë nga të gjithë që të aplikohen sanksione në mënyrë të koordinuar”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth qëndrimeve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, të cilat nuk kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Në mesin e shteteve që nuk kanë mbështetur sanksionet janë Serbia, Bjellorusia, por edhe Zvicra.