Festivali “Sunny Hill” do të rikthehet sërish këtë verë në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, gjatë një interviste të dhënë së fundmi për prestigjiozen “Financial Times” me bazë në Londër.
Teksa ka folur për promovimin që po mundohet t’i bëjë bregdetit të Shqipërisë, të cilin ajo e ka quajtur fantastik, dhe po ashtu Kosovës, këngëtarja 26-vjeçare ka thënë se këtë vit do të mbahet “Sunny Hill Festival”.
“Një vend që mezi pres të kthehem sërish atje është jugu i Shqipërisë. Kam qëndruar atje për dy javë, verën e kaluar dhe bukuria atje është e pakrahasueshme. Uji është i njëjtë si në Greqi dhe ushqimi është i mahnitshëm. Po mundohem t’i bëjë shumë njerëz të vizitojnë Shqipërinë dhe Kosovën. Dua të ndryshojë mendimet e njerëzve për këto dy vende. Festivali jonë Sunny Hill do të mbahet sërish në Kosovë, në gusht të këtij viti, dhe pastaj me siguri do të shkoj edhe në Shqipëri”, është shprehur Dua.
Edicioni i parë i festivalit u zhvillua nga 10 deri më 12 gusht të vitit 2018 në Parkun Kombëtar Gërmia. Sipas organizatorëve, më shumë se 18,000 njerëz morën pjesë në festival.
Festivali u organizua nga këngëtarja Dua Lipa së bashku me babain e saj për të mbledhur para për Fondacionin Sunny Hill.
Lipa ishte kryesuesja dhe babai i saj gjithashtu performoi me grupin e tij, ODA. Në këtë edicion morën pjesë edhe artistë me famë ndërkombëtare si Action Bronson dhe Martin Garrix.
Edicioni i dytë u mbajt më 2, 3 dhe 4 gusht 2019 po ashtu në Parkun Gërmia. Në këtë edicion morën pjesë disa prej emrave më të famshëm të muzikës ndërkombëtare si Calvin Harris, Gashi, Klangkarussell dhe Miley Cyrus dhe vetë Dua Lipa.
Edicioni i tretë parashihej të mbahej në verën e vitit 2021 mirëpo për shkak të gjendjen me COVID-19, është shtyrë për vitin 2022.