Reka pas qëndrimit të Serbisë për situatën në Ukrainë: Megjithatë mbetet e përkëdhelura e Brukselit

Ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Blerim Reka ka reaguar pasi Serbia paraqiti qëndrim të dyfishte lidhur me agresionin rus në Ukrainë.

Reka tha se Serbia dje ka refuzuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë për invazionin në Ukrainë.

“Dje Serbia refuzoi sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për invazionin në Ukrainë. Tash tetë vite nuk i zbatoi as sanksionet për aneksimin rus të Krimesë. Ajo dje në mbledhjen e OSBE-së në Vjenë, mbeti me Rusinë dhe satelitët e saj, edhe pse përfaqësuesit e BE-së, në shenjë proteste lëshuan takimin”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Ai tha se Serbia po dëshmon se është pjesë e Unionit Euro-Aziatik dhe larg Bashkimit Evropian.

Postimi i plotë:

E përkëdhelura e Brukselit

Dje Serbia refuzoi sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për invazionin në Ukrainë. Tash tetë vite nuk i zbatoi as sanksionet për aneksimin rus të Krimesë. Ajo dje në mbledhjen e OSBE-së në Vjenë, mbeti me Rusinë dhe satelitët e saj, edhepse përfaqësuesit e BE-së, në shenjë proteste lëshuan takimin.

Ndonëse shtet-kandidat që negocion anëtarësimin në BE, Serbia zbaton vetëm 43% të politikës së jashtme të BE-së. Përkundër kësaj, Këshilli Evropian, në samitin e fundit në dhjetorin e kaluar, shpërbleu vetëm Serbinë me hapje të kaptinave të reja negociuese!

Serbia po dëshmon se është pjesë e Unionit Euro-Aziatik, por larg Unionit Evropian.

Megjithatë mbetet e përkëdhelura e Brukselit.