BE me 150 milionë euro për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, plus fonde për centralet diellore

Bashkimi Evropian (BE) e shpalli sot paketën e re të investimeve për Ballkanin Perëndimor, me vlerë 3,2 miliardë euro për 21 projekte kapitale në infrastrukturë, energjetikë, lidhshmëri, klimë dhe digjitalizim, ka informuar Këshilli Evropian.

Maqedonia e Veriut me pakon e fundit do të marrë mjete të pakthyeshme në vlerë prej 149,2 milionë euro për ndërtimin e fazës së fundit, të tretë, të hekurudhës drejt Bullgarisë, në segmentin nga Kriva Pallanka deri në pikën kufitare Deve Bair. Me këtë grant, për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, tashmë janë siguruar gjithsej 412,3 milionë euro, duke i përfshirë grantet e mëparshme të BE-së dhe kreditë nga bankat e huaja.

BE-ja do t’i mbështesë me mjete të pakthyeshme edhe projektet për ndërtimin e centraleve diellore “Oslomej 1” (1,6 milionë euro) dhe “Oslomej 2” dhe “Manastiri” (5 milionë euro). Të tre projektet energjetike së bashku do të kenë një kapacitet energjetik prej 40 megavat dhe do të prodhojnë 65 gigavat-orë energji elektrike në vit. Vlera totale e tyre është 34.3 milionë euro, të cilat si mjete janë siguruar nga burime të tjera.

Me mjetet e BE-së do të forcohet konstrukti financiar për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup. BE-ja ka siguruar 69,8 milionë euro shtesë për këtë objekt kapital, të cilin shteti deri tani ka planifikuar ta ndërtojë kryesisht me kredi.

“Me këtë paketë të madhe investimi, po e përshpejtojmë realizimin në terren të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. I kemi identifikuar këto projekte, me rëndësinë më të madhe, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Lidhjet më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, infrastruktura digjitale dhe energjia e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të nxisin tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit dhe do të sjellin shumë mundësi për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE”, deklaroi euro-komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji.

Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve duhet të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si kombinim i granteve, kredive të buta dhe garancive. Plani do të ndihmojë të mbyllet hendeku në mes zhvillimit të Bashkimit Evropian dhe rajonit dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, informojnë nga BE.