Giresse dëshiron një Kosovë që nuk dorëzohet

Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Alain Giresse, gjithashtu ka thënë se dëshira e tij është që ta krijojë një ekip të vërtetë, i cili lufton dhe nuk dorëzohet në asnjë ndeshje.

“Dua të krijojë një ekip të vërtet, kolektive dhe që nuk dorëzohet në çdo ndeshje. Pra, qoftë ndeshje e lehtë apo e vështirë, dua të shoh shpirtin luftarak por gjithmonë duke e respektuar kundërshtarin. Dua një ekip bujare, që ka mentalitet dhe luan futboll taktik e teknik. Po ashtu, shpresojmë edhe në mbështetjen e tifozëve pasi ata janë lojtari i 12-të në futboll”, tha Giresse.


Kontrata e Giresset me Kosovën e vlefshme deri në fund të vitit 2023

Kontrata e seleksionuesit të ri të Kosovës, Alain Giresse është e vlefshme deri në fund të vitit 2023.

Giresse do ta drejtojë Kosovën në eliminatoret për Evropianin e vitit 2024.

Kontrata e tij është valide deri në nëntor të vitit 2023.


Ademi insiston se Giresse është zgjedhja e duhur për Kosovën

Kreu i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se ka zgjedhur francezin Alain Giresse për shkak se është opsioni më i mirë dhe më i duhur për “Dardanët”. Ai tha se ka pasur shumë oferta prej trajnerëve tjerë por në fund vendosi për Giressen.

“Vendosëm për Alain Giresse pasi kemi pasur shumë oferta. Më shumë se 40 oferta i kishim prej trajnerëve që kanë konkurruar për këtë post. Por, në fund kemi zgjedhur opsionin më të mirë dhe më të përshtatshëm për Kosovën”, u shpreh Ademi. “Në fund, i kishim pesë kandidatë por nuk po i publikojë emrat. Janë përfolur të gjithë, pasi kanë qenë emra të mëdhenj futbolli. Dhe, në fund gjuhën e përbashkët me Giressen dhe tani ai është këtu me ne, i gatshëm për ta nisur punën”.

13:13

Giresse i lumtur që do të jetë në krye të Kosovës

Në prezantimin e parë si përzgjedhës i Kosovës, Alain Giresse ka deklaruar se ndihet i nderuar që do të jetë në krye të “Dardanëve”. Ai ka thënë se i ka parasysh pritjet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ka shtuar se nuk ka hezituar fare ta pranojë ofertën. Giresse ka thënë se lidhjet e tij me Kosovën datojnë para shumë vjetësh.“Sot, po zyrtarizohet detyra ime si përzgjedhës i Kosovës dhe jam i lumtur e shumë i nderuar. Unë jetojë në Toulouse dhe atje kam miq kosovar, ku e njoh edhe kryetarin. Para disa viteve kur isha mysafir në Kosovë, ky kryetari aktual nuk ishte në atë post por i ndjeri Fadil Vokrri për të cilin dua ta bëjë një homazh për shkak se kam pasur lidhje shumë të forta me të. Në Francë, kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, kam mbetur shumë i prekur. Për të vazhduar lidhjen time me Kosovën, kur isha në krye të Senegalit kemi luajtur një miqësore me Kosovën në Gjenevë. Në atë kohë, Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe në Senegal më kanë pyetur se kundër kujt do të luajmë dhe iu kam treguar se bëhet për një vend që e njoh shumë mirë. Kjo është lidhja ime dhe për këtë arsye me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë jam pajtuar me kërkesat e kryetarit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me përfaqësuese dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij”, tha Giresse.


Giresse thotë se Kosova nuk ka limite

Përzgjedhësi Giresse ka thënë se nuk ka një synim të caktuar, por gjithmonë duhet besuar se mund të arrihen ambiciet.

Ai ka thënë se Kosova nën drejtimin e tij do të ketë paraqitje të mira në secilin ndeshje dhe kjo automatikisht do të sjellë rezultatet pozitive.

“Gjithsesi duhet ta zhvillojmë potencialin ekzistues, varësisht prej forcës por edhe anëve tjera të ekipit. Të krijojmë një ekip pa ia caktuar vetes një limit se ku dëshirojmë të shkojmë. Duhet të kërkojmë të kemi paraqitje të mira në secilën ndeshje. Në secilën ndeshje të kemi qasje të njëjtë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, të japim më të mirën nga vetja dhe të mundohemi sa më shumë për rezultate më të mira. Nuk mund të them se cilët janë kufijtë e Kosovës por duhet të kemi ambicie sikurse çdo vend tjetër. Secili lojtar që vjen duhet ta ketë këtë ambicie”, ka shtuar Giresse. “Nuk mund të bëjmë një parashikim për Ligën e Kombeve nëse jemi në grupin e favoritëve por kjo nuk duhet të na shqetësojë pasi loja bëhet në fushë. Ne gjithsesi duhet të japim maksimumin, pa e nënvlerësuar apo mbivlerësuar ekipin që e kemi përballë. Dhe, pse jo mos të besojmë në atë befasinë e këndshme. Nëse nuk kemi ambicie i reduktojmë mundësitë tona. Gjithçka është e mundur në futboll dhe kjo është magjia e këtij sporti. Ne kemi shpresa, gjithsesi. Pra, sigurisht që shpresojmë se do të bëjmë diçka të mirë”.


Giresse thotë se lojtarët e Kosovës janë teknikë

Trajneri francez ka thënë se e njeh Përfaqësuesen e Kosovës dhe ka vlerësuar shumë lojtarët aktualë, të cilët sipas tij janë teknikë dhe pëlqejnë të mbajnë topin. Ai ka thënë se ky stil i lojës i përshtatet shumë atij dhe me padurim pret ta fillojë punën.

“Luajnë si ekip bashkë, duhet të ndërtojmë një ekip me potencialin ekzistues të lojtarëve. Puna është bërë paraprakisht dhe unë jam këtu vetëm për të vazhduar punën, të përparojmë dhe të bëjmë më të mirën. Lojtarët janë shumë teknikë, kanë dëshirë ta mbajnë topin, gjë që më pëlqen shumë. Mua më pëlqen stili i lojës të lojtarëve të Kosovës. Sa i përket ekipit, është me rëndësi ta gjejmë balancin e duhur por edhe mentalitetin, që është i nevojshëm për të treguar lojë të mirë”, ka thënë Giresse. “Para shtatë vjetësh kur kam thënë se Kosova nuk është ekipi më i dobët nuk ka qenë shumë i njohur por unë e kam parë potencialin që e kishte. Ai potencial është dashur të përpunohet për të mos munguar perspektiva pastaj. Për këtë arsye jam këtu, baza e punës është këtu dhe detyra ime është t’ia sjell një dimension ekipit për të qenë garues. Synimi është të formojmë një ekip që do të jep rezultate të mira”.

13:00

Giresse zyrtarizohet te Kosova

Alain Giresse është përzgjedhësi i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ai të mërkurën është prezantuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në një konferencë për shtyp.Prezantimin e tij, e ka bërë kreu i FFK-së, Agim Ademi.

“Kam nderin që ta prezantoj trajnerin e ri, të mirënjohurin Alain Gires. Besoj që emri i tij mjafton për të treguar se kush është. Jam shumë i lumtur që gjendet në mesin tonë dhe ka pranuar të jetë kë krye të Përfaqësueses A. Me të do t’i futemi sfidës për të pasur sa më shumë rezultate të mirë. I kemi garantuar dhe i kemi dhënë përkrahjen e plotë për të vazhduar punën dhe për të pasur rezultate të pritura. Besoj se me të do ta arrijmë synimin që e kemi pasur deri më tani. Unë i uroj trajnerit Gires mirëseardhje te Kosova dhe suksese të mëdha”, ka thënë Ademi përpara se ta firmos kontratën me trajnerin francez.

08:26

Sot pritet zyrtarizimi i seleksionuesit të ri të Kosovës në futboll

Sot po pritet të zyrtarizohet seleksionuesi i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll.Federata e Futbollit të Kosovës ka thirrur konferencë për media nga ora 13:00, ku pritet të zyrtarizohet seleksionuesi.

Edhe pse në njoftimin e FFK-së nuk është bërë i ditur qëllimi i kësaj konference, mendohet se ajo ka të bëjë me emërimin e trajnerit të ri të Kombëtares së Kosovës dhe emri që pritet të zyrtarizohet është francezi Alain Giresse.

Ai do të jetë pasues i zviceranit Bernard Challandes, i cili u shkarkua muaj më parë për shkak të rezultateve jo të mira gjatë vitit 2021.

Alain Giresse në karrierën e tij ka drejtuar ekipe të mëdha në nivel kombëtar. Gjeorgjia, Gaboni, Mali, Senegali dhe së fundi edhe Tunisia janë ekipet kombëtare në të cilat ai ka ndërtuar karrierë dhe ka fituar përvojë.

Giresse po ashtu kishte drejtuar edhe dy ndër ekipet më të njohura franceze si PSG, Toulouse.

Dy sfidat e para për Giresen në krye të Kosovës do të jenë miqësoret e muajit mars ndaj Zvicrës dhe Burkina Fasos.