Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një prej rajoneve të trazuara që ende nuk është vendosur një paqe dhe siguri e qëndrueshme dhe afatgjate.
Kjo për shkak të situatës në Bosnje e Hercegovinë me “Republika Srpskan” e Millorad Dodikut dhe gjithashtu edhe për arsye të moszgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë duket se Perëndimi është më i vendosur se kurrë për të gjetur zgjidhje për këto çështje, në veçanti për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, çështje për të cilën kërkojnë të mbyllet me njohje reciproke.
Hiq më larg se dje, edhe Qeveria Federale Gjermane ka emëruar një emisar special për Ballkanin Perëndimor. Me një vendim të tillë, Gjermania i është bashkuar SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, duke e çuar kështu në katër numrin e emisarëve perëndimorë që merren me problemet në rajon.
Një pozitë të tillë qeveria gjermane ia ka besuar, ish-deputetit Manuel Sarrazin, i cili në vazhdimësi ka treguar vendosmëri për procesin e zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sarrazin tashmë do të jetë krah emisarit të BE-së, sllovakut Miroslav Lajcak, atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe britanikut Sir. Stuart Peach.
Të gjithë këta emra në mënyrë aktive merren me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe vazhdimisht kërkojnë progres në procesin e negociatave.
Ndërkohë pritet të shihet ditëve në vazhdim se cili do të jetë roli i gjermanit Sarrazin në procesin e negociatave dhe se si do të bashkëpunojë me kolegët nga Amerika, Britania e Madhe e Brukseli.