Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për KosovaPress se BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat e evropiane për votimin e qytetarëve serbë të Kosovës në zgjedhjet e 3 prillit.
Megjithatë ai thotë se iu takon dy palëve për të gjetur një marrëveshje dhe një të tillë sipas tij, iu është thënë edhe nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi.
“U takon të dyja palëve (Kosovë/Serbi) të përfshihen në negociata, dhe të gjejnë një konsensus të nevojshëm. BE-ja është e gatshme të lehtësojë dhe të ofrojë ide në përputhje me praktikat evropiane, por në fund të fundit përgjegjësia për të gjetur një marrëveshje u takon të dyja palëve. Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, ua bëri këtë gjë shumë qartë homologëve të tij gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë”, tha Stano për KosovaPress.
Deputeti opozitar, Pal Lekaj thotë se do të këmbëngulin që zgjedhjet e Serbisë mos të mbahen në Kosovë më 3 prill.
“Sa i përket vendimit për mos mbajtje të referendumit ne e kemi mbështet Qeverinë dhe nëse vjen vendimi për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve (të Serbisë) në Kosovë do të hasë në mbështetjen tonë si Aleancë dhe opozitë. Ne do të këmbëngulim që mos të mbahen ato zgjedhje në Kosovë”, thotë Lekaj.
“ Do të ketë presion për me u leju mbajtja e zgjedhjes, por mbetet të shihet tek Qeveria a ka me pas mundësi dhe a ka me pas qëndrueshmëri që zgjedhjet mos të mbahen ashtu siç ishte çështja e referendumit…Nëse mbahen zgjedhjet presidenciale në Serbi qysh janë mbajtur të kaluarën atëherë mund të themi se nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen ndaj Serbisë derisa prapë lejojmë në mënyrën siç janë mbajtur më herët”, thotë ai.
Institucionet e Kosovës me 16 janar të këtij viti refuzuan mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje për këtë deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan një rezolutë.