Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur seancë solemne me rastin e kremtimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë. E para e shtetit tha se rruga deri te ky akt nuk ishte e lehtë.
Ajo ka thënë se u dashtë shumë mund e sakrifica për ta bërë shtetin.
“Nën udhëheqjen e Rugovës, Kosova i bëri të ditur botës demokratike se synim i saj ishte pavarësia e vendit. Për aq sa u rri shtypja ndaj ne, u rrit edhe rezistenca jonë. Vajza e djem u bënë gardian të atdheut. Secila luftë i ka heronjtë e vet, e liria jonë e njeh Adem Jasharin që u flijua për ne. Ne do ta njohim figurën e tij dhe të gjithë heronjtë. Ne sot i nderojmë të gjithë invalidët e luftës dhe viktimat e luftës. Të gjithë meritojnë respekt e nderim”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se sot këtu jemi sepse ishin edhe miqtë ndërkombëtarë.
Ajo ka thënë se shtetet mike u vunë në anën e lirisë dhe pavarësia u takon edhe atyre.
Presidentja e vendit ka thënë se shpresojnë se me ndihmën e tyre do ta mbyllin edhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Sot edhe Kosova edhe rajoni e bota po përballen me politika destabilizuese të Rusisë. Ne i dënojmë tendencat e tilla, siç e dënojmë edhe ndonjë pushtim të mundshëm të Ukrainës. Kosova ka vendosur në cilën anë është dhe qëndron fuqishëm në anën e aleatëve të saj. Kosova sot nuk është as ajo e qershorit ’99 e as e shkurtit 2008. E vërteta mund të vonohet por jo edhe të shmanget. Dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke. Nuk do të pranojmë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje vendit tonë”, ka thënë ajo.