Osmani ka pranuar telegrame urimi nga presidentët e këtyre vendeve

Presidentja Osmani ka pranuar telegrame urimi nga presidentët e Maltës, Malit të Zi, Estonisë, Kroacisë, Mbreti i Arabisë Saudite dhe Mbretëria e Tajlandës

Me rastin e 14 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja Osmani ka pranuar telegrame të shumta urimi.

Në urimin dërguar Presidentes Osmani, presidenti i Maltës, George Vella, ka përmendur marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe, duke pemtuar vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës.

“Si një përkrahëse e madhe dhe mbështetëse e përkushtuar e zgjerimit të BE-së, Malta vazhdon të ofrojë mbështetjen dhe inkurajimin e saj konstruktiv për Kosovën, ndërsa vazhdon me zbatimin e reformave dhe përafrimin e institucioneve të saj qeverisëse me parimet dhe vlerat thelbësore të BE-së, në përpjekjen e saj drejt integrimit në BE”, thuhet në telegramin e Presidentit Vella.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović në urimin tij ka theksuar se shteti i tij dhe Kosova e ndajnë vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Jam i bindur që miqësia, dialogu i hapur dhe besimi që karakterizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore mes Malit të Zi dhe Kosovës, do të vazhdojë të inkurajojnë intensifikimin dhe përmirësimin e cilësisë së bashkëpunimit tonë dypalësh”, thuhet në telegramin e presidentit Đukanović .

Telegram urimi për ditën e shtetit të Kosovës, Presidentja Osmani ka marrë edhe nga Mbreti i Arabisë Saudite, Salman Bin Abdulaziz Al Saud.

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, kam kënaqësi të madhe që t`i shpreh ekselencës suaj urimet e mia të përzemërta, duke ju dëshiruar Juve lumturi dhe shëndet të mirë dhe përparim te mëtutjeshëm dhe prosperitet të Qeverisë dhe popullit mik të Republikës së Kosovës”, thuhet në telegramin e mbretit Salman Bin Abdulaziz Al Saud.

Presidentja Osmani, ka pranuar telegram urimi edhe nga Mbretëria e Tajlandës. “Unë besoj fuqimisht që Tajlanda dhe republika e Kosovës do t`i shfrytëzojnë mundësitë e mëdha për të promovuar dhe zhvilluar më tutje partneritetin tonë dhe angazhimin kooperativ, posaçërisht në tregti dhe investime për përfitim të dy vendeve dhe popujve tanë”, thuhet në telegramin e Mbretit të Tajlandës, Maha Vajiralongkorn R.

Edhe Presidenti i Estonisë, Alar Karis, ka uruar Presidenten Osmani me rastin e 14 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Estonia qëndron e gatshme të mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejtë integrimit Evropian”, thuhet në telegramin e Presidentit Alar Karis.

Në 14 vjetorin e pavarësisë Presidentja Osmani, ka pranuar telegram urimi edhe nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović.

“Bashkëpunimi i dy shteteve tona në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindorë, zë një vend të dalluar”, thuhet në telegramin e Presidentit Zoran Milanović.