Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka kërkuar heqjen e TVSH-së për këtë sektor. E nëse një gjë e tillë nuk bëhet, ata paralajmërojnë ngritjen e çmimeve.
Rikthimi i TVSH-së në 18 për qind do t’i detyrojë gastronomët të dalin në protestë, kështu ka thënë Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, në një intervistë.
“Kemi kërkuar që të largohet TVSH-ja. Ka ulje të aftësisë blerëse të qytetarëve. Ka 40% ulje të konsumit. Ka rritje të inflacionit, rritje të çmimeve. Bizneset gjenden në një situatë ku duhet ta ruajnë konsumatorin. Në anën tjetër duhet ta ruajnë përparësinë e të qenit formal. Nuk përjashtohen protestat. Ora policore krijon stres të panevojshëm për personat që qarkullojnë edhe gastronomia punon më pak”, është shprehur ai.
Vranica ka propozuar që të merren për bazë modelet e vendeve të tjera. Mes tjerash, ai u shpreh se i duket e pakuptimtë që qytetarët e Kosovës të mbyllen kur vendet tjera po hapen.
“Thjesht t’i shohim referencat e vendeve të tjera të cilat po menaxhojnë me pandemi. Ne edhe më pak kemi arsye të mbajmë kufizime të tilla kur e dimë edhe mbështetjen e dobët që kemi pasur ndaj bizneseve të gastronomisë. Tek ne është evidente që qeveria e ka marrë aprovimin për ringjallje ekonomike. Andaj kjo masë nuk është zbatuar asnjëherë. Të mbahemi të mbyllur kur kemi aprovim të ringjalljes dhe kur krejt bota po hapet nuk ka kuptim. Duhet me qenë më afër me sektorin privat”, ka thënë ai.
\