NATO ka thënë se përmes procesit të zgjerimit të kësaj aleance ushtarake nuk u bëhet presion shteteve të caktuara që të bëhen anëtare, porse zgjerimi më shumë është një proces i bazuar në parimin e “dyerve të hapura” për të gjithë ata që duan të anëtarësohen dhe janë të gatshëm t’i përmbushin kriteret.
Rusia ka thënë se fundmi se procesi i zgjerimit të NATO-s është shembull i agresivitetit dhe rritjes së sferës së interesave në dëm të Rusisë.
Këto akuza Moska po i bën në kohën kur ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe po kërkon që Kievi të mos bëhet kurrë pjesë e aleancës ushtarake. Ky grumbullim, nga Perëndimi po shihet si përgatitje e Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën.
Për shkak të kësaj politike, NATO ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë që, përveç mosanëtarësimit të Ukrainës në NATO, kjo e fundit të mos zgjerohet drejt lindjes.
Në ueb-faqen e NATO-s janë publikuar disa sqarime që kanë për qëllim të hedhin poshtë pretendimet e Moskës. Mes tjerash, aleanca ka përsëritur se asnjëherë nuk ka pasur garanci se ajo nuk do të zgjerohet.
Aktualisht, janë tri shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që nuk janë anëtare të NATO-s, por këto tri shtete kanë specifikat e veta.
Serbia ka vendosur që të mos bëhet anëtare e NATO-s, por ajo është partnere e kësaj aleance. Beogradi është i përfshirë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe bashkëpunon me aleancën.
Si një prej 20 shteteve të Partneritetit për Paqe, Serbia është edhe anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euro-Atlantik (EAPC), që ka 50 shtete anëtare. Ky është një forum i bashkëpunimit politik mes 30 shteteve të NATO-s dhe 20 shteteve të Partneritetit për Paqe. Në këtë këshill, anëtare janë edhe Rusia dhe Ukraina.
Edhe Bosnje e Hercegovina është anëtare e Partneritetit për Paqe, ndërsa NATO në këtë shtet ka një rol shtesë përmes misionit të saj. Sarajeva ka nisur me NATO-n edhe të ashtuquajturin Plan të Veprimit për Anëtarësim, që në aleancë njihet me akronimin MAP.
Por, për shkak të përbërjeve të brendshme politike, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka aq të qartë qëndrimin sa i përket anëtarësimit në NATO në të ardhmen. Anëtarësimin në aleancë publikisht e kundërshton udhëheqja në entitetin e Republikës Sërpska.
Në raportet formale me NATO-n, pengesa më të mëdha sa i përket mundësisë së integrimit i ka Kosova. Në Kosovë, NATO ka misionin e vet ushtarak dhe në këtë shtet aleanca kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës dhe spastrimit etnik nga Serbia, më 1999.