Momenti kur Dardan Molliqaj godet me shuplakë policin në protestë (Video)

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, bashkëshorti i ish-ministres Besa Shahini, ka goditur me shuplakë një polic në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës që partia e tij organizoi të shtunën para Qeverisë.

Gjatë tensioneve në protestë, Molliqaj është filmuar teksa ka goditur me shuplakë zyrtarin e policisë.

Vetë Molliqaj ka akuzuar Policinë se është e ndikuar politikisht teksa policët i ka quajtur të pasjellshëm.

“Manifestimi i sotëm nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e njerëzve që u vetorganizuan, madje sollën edhe parrulla me vete; nuk do të ishte i mundur pa gazetarët që kanë informuar rregullisht dhe drejt mbi rritjen e çmimit të rrymës, por edhe lajmet për protestën. Ky bashkim nuk është bashkim në shërbim të askujt veçanërisht. Ky lloj mobilizimi është i mundur vetëm kur ndërmjetësohet dhe ka në qendër interesin publik. Përpara”, ka shkruar ai në Facebook.

E sipas PSD-së, dhuna është ushtruar nga Policia e jo nga ta. Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, ka publikuar një video ku disa policë e shtyjnë Molliqajn nga objekti i Qeverisë.

Molliqaj edhe në një protestë të mëhershme, sa ishte pjesë e Vetëvendosjes, kishte nxitur reagime pasi kishte nxjerrë nga vetura një zyrtar shtetëror, ndërsa pastaj protestuesit kishin thyer veturën.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka iniciuar hetim ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, për goditjen që i dha një zyrtari policor gjatë protestës së sotme.

Policia thotë se gjatë protestës së sotme, të organizuar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të rrymës, disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë.

“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryeje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.