Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij Besnik Bislimi janë personat kyç në procesin e dialogut me Serbinë të nisur qysh në vitin 2011.
Pjesë e ekipit nuk janë përfshirë edhe gratë, ndonëse këtë proces për një kohë të gjatë e kishte udhëhequr një grua, ish-kryenegociatorja Edita Tahri.
Tash kur ky proces po konsiderohet që ka hyrë në fazën finale, vet gratë po kërkojnë që të përfshihen në këtë proces.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se në këtë proces duhet të përfshihen 50% i shoqërisë që janë edhe gratë.
Sipas saj, gratë e kanë dëshmuar se mund të jenë pjesë e proceseve të rëndësishme për vendim me potencialin dhe suksesin e treguar në vazhdimësi.
“Absolutisht do të duhej të ishte thirrje për Qeverinë e cila duhet ta shoh këtë proces që edhe 50 përqindëshi i munguar të bëhet pjesë e një mekanizmi të tillë të rëndësishëm po e them kemi potencial, kemi kapacitete të rëndësishme si shtet dhe kemi gra të cilat kanë shënuar suksese në këtë rrugëtim e që do të duhej të ishin pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm dhe besoj shumë që Qeveria duhet ta merr në konsideratë këtë mungesë, këtë abstenim nga një vlerë e shtuar e Kosovës”.
Por ajo thotë se ka një çakordim sa i përket dialogut me Serbinë, duke kërkuar që të sigurohet epilogu i njohjes së ndërsjellët ndemjet të dy vendeve.
“Kosova ka dhënë tashmë shembuj të grave në procesin e negocimit dhe absolutisht që ka gra që mund të bëhen pjesë e këtij mekanizmi dhe duhet të bëhen pjesë e procesit të dialogimit. Ka një çakordim të asaj që kemi pa në këtë proces të dialogimit. Nuk kemi pa asnjë aktivizim të Qeverisë sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, natyrisht pritshmëritë janë që të kemi një aktivizim më të shtuar të aktorëve që kanë marrë përkrahje, mbështetje qytetare që të sigurojnë po e them benefite për Kosovën e natyrisht sigurojnë edhe një epilog që është njohja e ndërsjellë e Republikës së Kosovës”.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovsë (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi theksoi se qasja e Qeverisë karshi dialogut është negative, duke shtuar se nuk ka rezultate sa i përket këtij procesi.
Megjithatë, ajo tha se gratë duhet të përfshihen sa më parë në dialog sepse e kryejnë punën me shumë përgjegjësi, korrektësi dhe me transparencë.
“Kjo Qeveri e ka qasjen negative karshi dialogut. Ju po e shihni se asnjë lëvizje pozitive nuk ka të bëjë, asnjë takim konstruktiv apo që jep një rezultat nuk është me dialogun. Sa i përket grave, normalisht që gjithmonë gratë e kanë vendin e merituar dhe duhet të përfshihen edhe në dialog edhe në të gjithë sektorët sepse gratë në përgjithësi e kryejnë punën me shumë përgjegjësi, me korrektësi dhe me transparencë. Unë nuk kam së paku informata që një grua është akuzuar apo është dënuar për korrupsion sepse gratë janë në përgjithësi më të përgjegjshme”.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj potencoi se ka ngecje në dialog, duke theksuar se asnjë grua nuk është pjesë e këtij procesi.
“Ne po shohim që kemi ngecje në dialog edhe ky lloj dialogu është stërzgjatë së shumti. Ju e dini që gjatë këtij procesi të dialogut në një periudhë kohore ne e kemi pasur një krye negociatore e cila ka qenë grua dhe që është munduar dhe e ka udhëheq procesin e dialogut ndërsa tash po shohim se procesi i dialogut po udhëhiqet prej kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministri të parë Besnik Bislimi”.
“Ne nuk e kemi parë ndonjë progres në këtë pjesë të dialogut po edhe nuk e kemi parë që e kanë të përfshirë ndonjë grua në këtë proces të dialogut. Është mirë që në fusha të ndryshme ose kur dialogohet qoftë për ekonomi ose në tema të ndryshme të përfshihen edhe gra profesionale të fushave të caktuara. Unë mendoj që gratë janë më të përgjegjshme dhe janë më kooperative sa i përket procesit të dialogut”.
Ajo potencoi se ende nuk e dinë se cila është platforma e bisedimeve për dialog, por thotë se i ofrojnë përkrahje pozitës që këtë proces ta përmbyllë me njohje reciproke, raporton EO.
“Ne po shohim është një mostransparencë e thellë. Ne ende nuk e dimë se cila është platforma e bisedimeve çka do të negociojë edhe çka nuk do të negocioj Kurti, po është mirë të konsultohet me të gjitha subjektet politike parlamentare sepse për dallim prej qeverive të kaluara ku Kurti ka kundërshtuar çdo gjë unë e shoh se partitë opozitare tash ja japin përkrahjen që të dialogoj ta përmbyll këtë marrëveshje përfundimtare e cila do të përfundoj me njohje të ndërsjellë dhe normal të ruhet edhe organizimi i brendshëm po edhe kufijtë e jashtëm”, tha Kadriaj.