Profesori universitar, Blerim Latifi, ka bërë një analizë të shkurtër rreth Partisë SocialDemokrate.
Ai ka thënë se PSD ka premisa për tu bërë parti serioze porse atyre u duhen dy gjëra paraprakisht, çlirimi nga politika e inatit dhe çlirimi nga anakronizmi ideologjik.
Latifi ka kritikuar edhe Manifestin Politik të PSD’së që u publikua para pak kohësh.
Këtu keni statusin e tij të plotë.
“PSD i ka premisat për t’u bërë një parti serioze në skenën politike kosovare, edhe pse tani duket më shumë si një klub i folësve ta talentuar publikë.
Por, që t’ia arrijnë kësaj, u duhen paraprakisht dy gjëra: çlirimi nga politika e inatit dhe çlirimi nga anakronizmi ideologjik, të cilin e bartin që nga periudha e hershme e Vetëvendosjes. Çlirimi i parë ka të bëj me heqjen dorë nga angazhimi politik i motivuar nga inatet personale që kanë me Kurtin. Duhet të heqin dorë për të treguar se nuk vazhdojnë të vuajnë nga trauma e ndarjes me Kurtin. Trauma dhe inati nuk të mundësojnë politikë kreative. Ato të dënojnë të mbetesh rob i të kaluarës dhe i ndjenjave të revanshit e hakmarrjes. Ato të shpërfaqin si njeri që politikën e bën për egon tënde të lënduar, e jo për çështjet publike. Ato të dënojnë ta shohësh realitetin nga një persepektivë e ngushtë, nga ngushtësia e shpellës tënde personale. Njerëzit nuk do të të vijnë pas për të kënaqur ndjenjat tua të hakmarrjes.
Çlirimi i dytë ka të bëj me heqjen dorë nga megalomania boshe e diskursit neomarksist, me të cilin PSD e kishte mbushur Manifestin e saj politik. Nuk mund të kuptohet realiteti kosovar me koncepte të tilla si “providenca”, “domosdoshmëria historike”, “hegjemonia gramshiane”, “lufta e klasave”, “tjetërsimi e tejdeterminimi”, “lufta kundër korporatave multinacionale dhe kapitalizmit financiar”, “kapitali që ia bën varrin vetes”, “mungesa e qasjes internacionaliste, si shkak i krizës brenda të majtës”, e broçkulla të tjera nga koha e debateve ideologjike të KOMINTERN-it. E vetmja fushë ku për këto koncepte mund të flitet seriozisht është historia e ideve politike. T’i marrësh seriozisht ato në rrafshin e politikës praktike të një vendi të vogël, siç është Kosova, është thjesht budallallëk, në kuptimin e plotë të fjalë”, ka shkruar Latifi në llogarinë e tij në Facebook.