Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë ka shkaktuar shumë reagime këto ditët e fundit. Ndër ta janë edhe qytetarët e vendit që këtë ngritje të çmimit po e shohin të gabueshëm.
Me këtë rast Qeveria ka pranuar kërkesën e ZRrE-së për rritjen e çmimit të rrymës. E Ministria e Ekonomisë ka treguar se subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 KËh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 KËh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.
Në raportin e ZRrE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 KWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 KWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.
Ani pse çmimi i energjisë është rritur në gjithë botën, qytetari Hasim Hasjaqa thotë se rritja në Kosovë nuk duhet të ndodhë ashtu siç e ka paraparë ZRRE-ja.
“Rritja e rrymës ka ndodhë në krejt botën dhe mendoj se edhe këtu duhet, mirëpo në mënyrën se si po mendon Qeveria ta bëjë, mua nuk më pëlqen si qytetar i këtij vendi, atëherë kur të bëhet rritja, të bëhet për të gjithë. (00:53)600 KWh për një familje 2, 3 anëtaresh është e pamundshme të mos harxhojë më shumë, si të kalohet 600 KWh atij, po e marrë shembull në shtëpinë timen shpenzohet 800 KWh dhe ata 800 KWh mua më kushtojnë 80 euro, mua po më rritet jo 50 për qind por qind për qind, për këtë arsye nëse duhet t’i ndihmojmë këtij populli dhe kësaj Qeverie, atëherë të gjithë të jemi pjesëmarrës të barabartë dhe jo vetëm një kategori të mbajë barrën kryesore”, ka thënë ai.
Po ashtu, edhe qytetari Ismajl Telaku, propozimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike e sheh mjaftë të gabueshëm, pasi që qytetarët nuk munden ta përballojnë këtë ngritje të çmimit.
“Këtë vendim të Qeverisë e shohim shumë të gabueshëm dhe nuk është në interes të përgjithshëm për ta shkatërruar popullin e Kosovës sepse nuk kanë të ardhura të sigurta personale ose familjare. Nëse ata munden t’iu gjejnë vende pune, me ju kriju kushte le ta rrisin çmimin. S’munden qytetarët me përballu, nëse donë po ta nënshkruaj tash ose po jap gisht që nuk munden me përballu, a kanë logjik, janë thirr për t’i ndihmuar popullit por s’po u ndihmojnë”, tha ai.
Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”, në një prononcim për KosovaPress, tha se propozimin për ngritjen e çmimit të energjisë e sheh sikur një skllavërim të qytetarit. Sipas tij, ngritja e çmimeve nuk do të duhet të bëhet pa konsultimin me qytetarët.
Ai ndër të tjerash përmend edhe qeverisjen e partive të kaluara, ku sipas tij, kanë dorë në shkaktimin e krizës.
“E shoh si një rrethanë të re që po përsëritet dhe në vazhdimësi po shpreh një moskujdes dhe mbi të një skllavërim të qytetarit konsumatorë, taksapagues dhe të familjes konsumatorë taksapaguese, sepse prej nesh merret sikur nga miniera vota dhe paraja që e quajmë publike, por ndaj nesh nuk shprehet as respekt e sidomos përgjegjësi. Dikush ne na mat dhe na e prek[…]pa e marrë parasysh a do të na bjerë tamam. Shteti përmes institucioneve ekziston për t’i shërbyer qytetarit të vet, e jo qytetari për t’i bërë opinion shtetit përmes institucioneve, qoftë ajo qeveria, kuvendi apo presidenca. Asnjë ngritje e çmimeve, as në rrethana të jashtëzakonshme nuk mund të bëhet pa konsultimin me qytetarin, konsumatorë dhe me familjen konsumatorë, pa marrë parasysh përfshirjen globale, pa marrë parasysh se është shpallë gjendje e jashtëzakonshme, pa marrë parasysh se asnjë rrethanë tjetër, madje as arsyetimet e Qeverisë, as sulmet te Qeveria e mëparshme të jenë pjesëmarrëse në shkaktimin e kësaj krize. Askush nuk ka të drejtë të na skllavërojë dhe të na shtyp më shumë seç jemi të shtypur”, ka thënë ai.
Kaçaniku fajësonte të gjitha subjektet politike për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova.
“Kryeministri ka të drejt dhe nuk ka të drejt, nuk ka të drejt për arsye sepse e ka bërë një pranim dorëzim të detyrës, nuk ka të drejt për arsye sepse ka luftuar për këtë post me bindje se do ta zgjidh situatën, nuk ka të drejtë sepse kriza ka ardhur dhe duhet të përgatitet për këtë krizë dhe nuk është qeveria dasmë për të lozur por betejë për të luftuar, ndërsa ka të drejtë sepse të gjitha këto partitë në opozitë, në qeveri ose në aleancë qeveritare dhe të gjitha kanë kontribuar në këtë dhe të gjitha këto miliarda që po përmenden dhe që janë investuar në KEK e ditë këta, KEDS-i është privatizuar në kohën e tyre, çdo gjë ka ndodhë në kohën e tyre dhe kriza i ka manifestuar këto për së keqi këto dështime në kohën e kaluar“, tha ai.