Serbia dhe Rusia kanë filluar një fushatë agresive përmes faktorëve të ndryshëm për të paraqitur narracionin e rrejshëm për luftën e Kosovës. Profesori universitar i diplomacisë dhe historisë Ibrahim Gashi ka deklaruar se “narracioni serb nuk dallon nga ai rus, madje e ka marrë si model atë dhe se është një përpjekje që të forcohet narracioni serb përmes atij rus.”
Profesori i diplomacisë Gashi e ka komentuar edhe publikimin e librit propagandastik për fëmijë në Serbi me titull “Kosharja, një betejë e re e Kosovës”.
Sipas tij nuk janë të panjohura këto “histori” të porositura e të shkruara nga politika, nga njerëzit e afërt me politikën serbe, në frymën e politikave ditore të shtetit serb karshi Kosovës. Por sipas Gashit ky “është një veprim i cili nuk ka të bëjë asgjë me racionalitetin, sepse t’u ofrohet fëmijëve një falsifikim aq i dukshëm i historisë mbi një betejë ku janë thyer forcat e Ushtrisë Serbe për shkak të një rezistence të fuqishme të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për shkak të ndërhyrjes ajrore nga forcat e NATO-s dhe të provohet nga ajo të krijohet një betejë legjendare të quajtur madje edhe beteja e re e Kosovës ose beteja e dytë për Kosovën është një përpjekje të falsifikohet historia e luftës së fundit, sikur edhe shumë përpjekje të cilat po e shohim se kanë shkuar në instanca shumë të larta, duke provuar që ta përnbysin të vërtetën, të cilën e ka njohur e gjithë bota lidhur me krimet serbe që janë bërë në Kosovë gjatë luftës dhe ta krijijojnë kushtimisht “një të vërtetë të re, se serbët kanë bërë një luftë të shenjtë, një luftë për të mbrojtur vatrat e tyre”, në fakt serbët kanë bërë një luftë të tokës së djegur, e din mirëfilli sot edhe publicistika edhe shkenca gjithëbotërore, sidomos kjo e Evropës Perendimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë qenë protagoniste në këtë luftë të cilët e dijnë se serbët kanë bërë një luftë të tokës së djegur, të dëbimit masiv dhe masakrimit të shqiptarëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike duke pretenduar që ta zbrazin Kosovën dhe ta konolizojnë me serbë.
Sipas profesorit Gashi “kemi të bëjmë me një luftë tipike pushtuese, ekspansioniste e cila provohet të paraqitet në librat e fëmijëve në moshë shumë të re si “një luftë e shenjtë”, “luftë për tokën e të parëve” etj. që nuk është se kalon pa lënë gjurmë tek edukimi i gjenerateve të reja. Pra kemi një tendencë për të krijuar një edukim të shtrembëruar për luftërat pushtuese dhe të humbura që i ka pasur Serbia në fund të shekullit të kaluar në hapësirat e ish-Jugoslavisë ,duke filluar nga Bosnja e Hercegovina, Kosova e Kroacia. Tash, për t’i arsyetuar ato humbje duhet t’i paraqesin si heronjë ata që e pushtuan një vend por që nuk ia dolën. Pra, është një tendencë, nganjëherë edhe e çuditshme sa larg shkon imagjinata e politikbërësve dhe akademikëve serbë, të cilët janë në shërbim të politikës ditore serbe.”
Ai ka komentuar edhe tendencën e Serbisë dhe Rusisë përmes faktorëve të ndryshëm për të paraqitur narracionin e rrejshëm për luftën e Kosovës. Sipas profesorit të diplomacis Ibrahim Gashi, “narracioni serb nuk dallon nga ai rus, madje e ka marrë si model atë, është një përpjekje që të forcohet narracioni serb përmes atij rus, duke ditur se Rusia është një fuqi më e madhe ka një shtrirje të ndikimit të saj ne një zonë të madhe të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, edhe Rusia e sotme ka shumë ndikim në atë pjesë të Evropës dhe të Azisë Qendrore dhe përpjekja është që të shpërndahet një “e vërtetë”, një version serb lidhur me luftën në Kosovë, një narracion që po e krijon publicistika dhe politika serbe për luftën në Kosovë për ta shpërdarë edhe në atë pjesë të botës.
Sipas tij veprime të tilla nuk janë të rastësishme, janë shumë të qëllimshme dhe mund të ketë pasoja. Sepse, egziston një komunitet i madh i shteteve në të cilat Rusia ka ndikim. Pra, Serbia po punon me të gjithë mekanizmat e saj, për ta plasuar në opinionin ndërkombëtar një narracion të saj lidhur me luftën e Kosovës, lidhur me Kosovën, lidhur me të vërtetën për Kosovën në mënyrë që me këtë farsë ta mbulojë të vërtetën, qoftë për të kaluarën ose edhe për aktualitetin e Kosovës.
Lidhur me hapat që duhet të ndërrmerren nga institucionet e Kosovës për t’iu kundërvënë kësaj propagande serbo ruse, profesori universitar ka deklaruar se “duhet inkurajuar institucionet akademike që të mërren me afirmimin dhe publikimin e të vërtetës jo vetëm për luftën e fundit, por edhe për aktualitetin nëpër të cilin po kalon shteti i Kosovës. Pra, institucinet akademike kanë obligim mbi bazën e burimeve të shumta ta shkruajnë një histori të mirëfilttë sidomos për zhvillimet e fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli, ku ka përpjekje të Serbisë ta shtrembërojë atë.
Gjithashtu profesori Gashi e sheh shumë të nevojshme angazhimin e politologëve, historianëve, shkencëtarëve që të kontribuojnë në ndriçimin e një të vërtete të pakontestueshme dhe publikimet të bëhen për audiencën ndërkombëtare, duke u publikuar në gjuhë të ndryshme që sipas tij “të dëshmojnë se përpjekjet e Serbisë për ta mbajtur Kosovën janë përpjekje të një pushtuesi për ta mbajtur tokën e pushtuar që s’ka asnjë lidhje me të kaluarën e saj kombëtare, por që janë krijuar disa elemente gjatë të kaluarës, të cilët serbët mundohen t’i paraqesin si institucione identitare, siç është rasti me Kishën Ortodokse Serbe dhe kishat e manastiret nëpër Kosovë, të cilave shteti u ka dhënë trajtim të jashtëzakonshëm, ata mundohen t’i paraqesin si tokë të shejtë të tyre.”