Mehaj: Restaurimin e Kullave të Jasharajve ia kemi borxh historisë sonë të lavdishme

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë sot homazhe te varrezat e Jasharajve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Mehaj shkruan se restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet.

Sipas tij, restaurimi i këtyre kullave është borxh, jo ndaj familjes Jashari sepse atë dhanë gjithçka për Lirinë tonë, por është borxh ndaj historisë sonë të lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit.

“Sot së bashku me kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorët tjerë, ministra e deputetë, bëmë vizitë dhe homazhe para varreve të Jasharajve Legjendar, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë”, shkruan Mehaj.

Sipas tij, kjo ngjarje ishte dëshmia më e fuqishme se tani më, me regjimin okupues fashist e kriminal të Serbisë, e vetmja zgjidhje ishte rezistenca e armatosur dhe lufta deri në fund për çlirim definitiv.

“Atë ditë Komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, e sulmit tinzar në orët e hershme të mëngjesit , i ishin përgjigjur me zjarr Baca Shaban e Hamza bashkë me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen. Kjo ngjarje ishte dëshmia më e fuqishme se tani më, me regjimin okupues fashist e kriminal të Serbisë, e vetmja zgjidhje ishte rezistenca e armatosur dhe lufta deri në fund për çlirim definitiv”, shkruan Mehaj.

Sipas tij, restaurimi i Kullave të Jasharajve, që bartin peshën më të madhe të ndërgjegjes sonë kombëtare, do të jetë projekti nacional në top-prioritet e kësaj qeverie.