Qentë endacakë problem i pazgjidhur – Liridon Doraci pëson lëndime të rënda, komunat s’kanë vullnet për trajtim

Numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qyteteve të vendit po paraqet problem të vazhdueshëm për qytetarët.

Në raste të caktuara ka pasur edhe viktima nga sulmet e qeneve.

Liridon Doraci, ishte cak i sulmit ditë më parë nga një grumbull qenesh. Ai teksa ishte duke shkuar në punë, turma e qenve endacak e kishin sulmuar duke i shkaktuar plagë të rënda në këmbë.

Për këtë ai ishte detyruar të shkojë për tretman mjekësore në Qendrën Emergjente.

“Kam qenë duke shkuar në punë dhe kam qenë duke ecur normalisht papritmas e kam pa që një qenë është ofruar mbrapa dhe më ka kafshuar në këmbë dhe kanë tentuar të më kafshojnë sërish. Pas kafshimit qeni është kthye në grup”.

“Kafshimi ka qenë aq i madh saqë ka rrjedhe edhe gjak. Për këtë arsye është dashur të shkojë edhe në emergjencë që t’i marr edhe vaksinat kundër tërbimit. Kam marr vaksina, dhe përveç vaksinave është dashtë me marr edhe antibiotik që me trajtuar kafshimin mos me pas pasoja në vazhdim. Unë mendojë që problemi”, ka thënë ai.

Doraci ka thënë se zgjidhja e vetme për qentë endacak është izolimi i tyre nga komunat përkatëse.

E në lidhje me këtë problem, Ekonomia Online ka kontaktuar zëdhënësin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Ai ka thënë se trajtimi i qenve në Kosovë duhet të bëhet me një plan të detajuar nga të gjitha komunat e vendit e jo vetëm në disa, duke shtuar se nuk ka vullnet për trajtim.

“Ne ndjejmë keqardhje për personat që janë ataku nga qentë endacak. Ne kemi punuar gjatë gjithë kohës si autoritet që t’ua lehtësojmë komunave punën në teren. Kemi përgatitur plane strategjike dokumente përcjellëse me kusht që ti përkrahim ata. Komunat nuk kanë bërë në ndër vite trajtim adekuat të qeneve endacak dhe si pasojë e kësaj ka ardhur deri tek shtimi enorm i numrit të qeneve endacak”.

“Vitin 2020 dhe 2021 ka qenë një projekt që është zhvilluar prej anës së Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe është duke u trajtuar edhe një numër bukur i madh i qeneve endacak  dhe gjatë gjithë kohës sa ne i kemi trajtuar në vazhdimësi kemi dërguar letra tek kryetarët e komunave, tek Asociacioni se projektet të cilat janë nis nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të vazhdohen mënyra e trajtimit të bëhet”.

“Po ashtu është dërguar në dhjetor të vitit 2020 plani i veprimit i cili kërkohet të implementohet nga të gjitha komunat që politika të vazhdojë që në fakt prej tri deri në 4 vite të bëhet rregullimi i çështjes përgjithmonë. Përsëri ne nuk kemi pa një vullnet nga komunat të nis trajtimi i qeneve endacak”.

Ai shtoi se komunat duhet të kenë  kontrata për trajtimin e qeneve endacakë sipas standardeve evropiane, raporton EO.

“Komunat duke respektuar ligjin duhet të kenë kontrata për trajtimin e qeneve endacak në praktika veterinare të licencuar të cilat posedojnë qendra trajtimi të përkohshëm dhe plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për një trajtim sipas standardeve ndërkombëtare gjithmonë duke respektuar mirëqenien e kafshëve për të treguar se ne jemi një shtet i cili kujdeset për kafshë. Vaksinimi është në vazhdimësi dhe gjithë qenët me pronar që janë në Republikën e Kosovës vaksinohen në vazhdimësi”.