Presidentja Vjosa Omani ka pritur në takim të ngarkuarin me punë në ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.
Siç njoftohet, në takim është biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në sferën e politikës së jashtme, menaxhimin e pandemisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë në fusha të tjera.
Osmani ka falënderuar Yamanaka për mbështetjen e deritashme japoneze, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Japonia ka prezencë të vazhdueshme nëpërmjet projekteve në Kosovë, ndaj presidentja ka kërkuar mbështetje në fushën e arsimit, respektivisht në shtimin e numrit të bursave për studentët kosovarë që duan të studiojnë në Japoni.
Më tej, Presidentja ka potencuar mundësitë që ofron Kosova për investimet japoneze dhe në këtë kontekst ka përmendur moshën e re të popullsisë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.
Sipas saj, Kosova ka potencial të zhvillojë bashkëpunim me Japoninë në sferën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, shëndetësisë, arsimit, kulturës, si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Ndërkaq Yamanaka ka shfaqur gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka përmendur organizatën japoneze JICA, e cila sipas tij vazhdon të implementojë projekte në Kosovë.
Teksa është biseduar për menaxhimin e pandemisë, z. Yamnaka ka bërë të ditur se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në sferën e shëndetësisë, duke paralajmëruar dhënien e donacioneve për institucionet shëndetësore.