Tha se gjyqtarët janë të korruptuar, Konjufcës i kërkohen fakte, pasi i akuzoi për korrupsion

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pretenduar se gjyqtarët në vend janë të korruptuar, deri sa po fliste për vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth rastit të Manastirit të Deçanit. Por, njohësit e çështjeve juridike, për Demorkacia.com vlerësojnë se zyrtarët e lartë publikë duhet të jenë të kujdesshëm në adresime të tilla, nëse nuk kanë fakte.

Glauk Konjufca po e konsideron shumë problematike çështjen e Manastirit të Deçanit. Sipas tij, gjyqtarët e Kushtetueses që konfirmuan pronësinë e Manastirit të Deçanit me mbi 24 hektarë tokë dhe pyll janë të korruptuar.

Këto deklarata, Konjufca i bëri në emisionin “Pressing” gjatë së enjtes, ku tha se në këtë rast janë të përfshira institucionet e rendit, sigurisë dhe drejtësisë, raporton Demokracia.com.

“Unë me ju dua të ndaj edhe diçka tjetër. Nuk e përjashtoj që institucionet e rendit, sigurisë dhe të drejtësisë për të ardhur deri te një konstatim si ky, ka edhe rast të korrupsionit prej gjyqtarëve”, theksoi Konjufca.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka biseduar me Ehat Miftarajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili ka thënë se zyrtarët publikë duhet të jenë të kujdesshëm gjatë adresimeve të tilla.

“Në çdo rast kur ka dyshime ose dëshmi se gjykatës apo zyrtarë të tjerë publikë janë të korruptuar lidhur me ndonjë proces gjyqësor, pretendimet e tilla duhet të hetohen dhe të mos mbesin vetëm deklarata publike. Në një shtet ligjor, i cili bazohet në parimet e sundimit të ligjit, pretendimet e tilla nuk do të duhej të mbetnin vetëm deklarata publike, por të sqarohen nga organet e drejtësisë përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka shtuar se vendimet gjyqësore nuk diskutohen dhe nuk duhet të jenë pjesë e debatit publik nga politikanët, por ato duhet vetëm të zbatohen.

“Për këtë arsye shteti duhet të sigurohet se emëron gjykatës të gjykatave të rregullta dhe të Gjykatës Kushtetuese, individë profesionistë, me integritet dhe që sigurohen se kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre i ushtrojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Joprofesionalizmi i gjykatësve apo emërimi i tyre i bazuar në baza partiake apo të grupeve të interesit përkthehet edhe në dështim të shtetit për të siguruar procese gjyqësore të pavarura dhe të bazuar sipas meritës, që në fund koston e paguan vetë shteti dhe publiku i gjerë”, theksoi Miftaraj.

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani thotë se kur përmendet fjala “korrupsion”, duhet pasur fakte.

“Kur të thuhet e korruptuar, atëherë duhet pasur fakte, në të kundërtën është shpifje. Me gjykata nuk lejohet fjala sikur njeriu të zgjohet nga gjumi e të flasë, duhet pasur kujdes se çfarë flet dhe për kë flet, si për gjyqësorin në këtë rast”, tha Burjani për Demokracia.com.

Analisti Burjani ka shtuar se duhet të zgjidhen gjyqtarë të rinj në këtë gjykatë, me kredibilitet të lartë dhe përvojë të gjatë.

“Kjo gjykatë ka gjyqtarë jodinjitoz profesionalisht, me përjashtim të një apo dy gjyqtarëve, të tjerët janë zgjedhur me ndikim të politikës. Gjyqtarë ka, edhe të dobët. Kuvendi duhet t’i rizgjedhë gjyqtarët e rinj të kësaj gjykate, sa më parë aq më mirë. Gjyqtarët e rinj duhet të jenë të pavarur, me kredibilitet të lartë dhe me përvojë të gjatë”, tha ai.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka përcaktuar se 24 hektarë tokë i takojnë këtij manastiri.

Pushteti lokal në Deçan ka refuzuar ta zbatojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për shkak se, siç pretendon, ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e manastirit.

QUINT-i dhe SHBA-ja vazhdimisht u kanë bërë thirrje qeverive përgjatë kësaj kohe që ta zbatojnë vendimin e gjykatës.

Këtë kërkesë, SHBA-ja ia ka shtruar kryeministrit Albin Kurti edhe në një letër dërguar të enjten.

Demokracia.com ka mësuar se Ambasada Amerikane ia ka nisur Kurtit edhe një “Non-Paper” me shtatë kërkesa, ku përmendet edhe kjo pikë.

Disa prej këtyre pikave janë implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe rritja e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Po ashtu, Ambasada Amerikane i ka rekomanduar Kurtit që të shkojë për intervista te mediat kritike, pasi ai që kur është bërë kryeministër i ka dhënë vetëm dy intervista në mediat vendore.