Me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), UNICEF-i po lanson një program të ri trevjeçar i cili synon ta përmirësojë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë duke i fuqizuar kapacitetet e institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile për të ofruar shërbime sociale cilësore dhe qasje në arsim për vajzat dhe djemtë më të cenuar. Programi do të mbështesë ndërhyrjet e synuara për fëmijët në situatë rruge dhe ata që nuk shkojnë në shkollë; do të promovojë shërbime të integruara dhe gjithëpërfshirëse të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara; do ta përforcojë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve për parandalim dhe reagim më të mirë ndaj dhunës ndaj fëmijëve; dhe do ta mbështesë një riintegrim social më efektiv për fëmijët në kontakt me ligjin.
Duke u mbështetur në mësimet e nxjerra nga partneritetet e mëparshme të suksesshme për të drejtat e fëmijëve, me këtë program të ri BE-ja dhe UNICEF-i do t’i rrisin shërbimet për fëmijët në terren si dhe do të ofrojnë asistencë teknike për ta përforcuar në mënyrë të qëndrueshme sistemin më të gjerë të mbrojtjes së fëmijëve. Poashtu, BE-ja dhe UNICEF-i do t’i bashkojnë forcat për të ndikuar në politikat kombëtare për t’u siguruar që ato i adresojnë nevojat e fëmijëve më të cenuar në Kosovë.
Kosova nuk u kursye nga pandemia COVID-19. Përderisa fëmijët nuk kanë qenë më të prekurit nga ndikimet shëndetësore të virusit, ata kanë qenë ndër viktimat më të mëdha të ndërprerjes së arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera sociale, si dhe varfërisë së shtuar të përjetuar në familjet e tyre. Këtu në Kosovë, si në shumë vende në mbarë botën, fëmijët e margjinalizuar dhe të rrezikuar – ata që përfshihen posaçërisht në këtë program – u prekën në mënyrë disproporcionale në mënyra të shumta kur arsimi filloi të mbahet përmes platformave elektronike, kur dhuna në shtëpi u rrit gjatë izolimeve dhe kur shumë shërbime mbështetëse u pezulluan.
Prandaj, ky partneritet BE-UNICEF vjen në një moment të rëndësishëm derisa ne përpiqemi të riplanifikojmë shërbime më të mira dhe më gjithëpërfshirëse për fëmijët. Ai do të sigurojë qasje në mbrojtje dhe arsim për më shumë se 10,000 fëmijë dhe adoleshentë të cenuar në Kosovë, me fokus të veçantë tek ata që jetojnë në situatë rruge ose në rrezik të lartë të cenimit të mbrojtjes së tyre për arsye të tjera. Poashtu, programi do t’i përforcojë kapacitetet e më shumë se 1300 punëtorëve të vijës së parë të frontit dhe profesionistëve të tjerë nga sektorët e mirëqenies sociale, drejtësisë, shëndetësisë dhe arsimit, si dhe shoqëria civile.
Nona Zicherman, shefe e UNICEF-it në Kosovë, theksoi se “UNICEF-i është shumë i kënaqur që po e zgjeron partneritetin tonë me BE-në përmes këtij programi të ri për mbrojtjen e fëmijëve më të cenueshëm. Së bashku me organizatat e shoqërisë civile, komunat dhe institucionet e Kosovës ne presim me padurim të sigurojmë që shërbimet sociale cilësore të arrijnë më mirë tek ata që kanë më shumë nevojë për to.” Shefi i Zyrës së BE-së për Bashkëpunim në Kosovë, z. Luigi Brusa tha, “BE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e fëmijëve më të cenueshëm në Kosovë me partnerin tonë prej kohësh, UNICEF-in. Ne besojmë se partneriteti i BE-së dhe UNICEF-it do të sjellë ndryshim në jetën e fëmijëve në Kosovë. Duke punuar së bashku me organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet përkatëse në Kosovë, synimi ynë është të arrijmë ndryshime reale dhe përmirësime të qëndrueshme të jetës së përditshme të fëmijëve dhe perspektivës së ardhshme duke i adresuar nevojat e fëmijëve më të cenueshëm në Kosovë.