Monitoruesja e punës së Kuvendit, Agnesa Haxhiu, thotë se ka pasur pritje më të mëdha sa i përket produktivitetit të Qeverisë Kurti 2 gjatë vitit që shkoi.
Ajo ka shpjeguar ecurinë e kalimit të ligjeve në aspektin formal-administrativ.
“Nëse e shohim përmbushjen e agjendës legjislative, nga 115 projektligje që i ka pranuar Kuvendi deri më datën 31 dhjetor të vitit që lam pas, prej tyre i ka miratuar vetëm 36, që nëse e shohim në përqindje, është 31 përqind e përmbushjes së agjendës legjislative. Ndërsa, në procedurë të shqyrtimit kanë mbetur edhe 79 projektligje. Është e vërtetë që Qeveria i ka miratuar 119 projektligje, mirëpo 9 projektligjet e fundit që i ka miratuar në mbledhjen e fundit të dhjetorit, që është mbajtur më 30 dhjetor, nuk janë proceduar në Kuvend për shkak të aspektit teknik administrativ, që kërkon pranimi i atyre projektligjeve dhe rrjedhimisht nuk kanë hy në numrin e projektligjeve të vitit 2021 dhe barten në këtë vit.” u shpreh ajo në ‘Sytë 7’.
Tutje, Haxhiu ka thënë se nësë kërkohet suksese në vitin 2022 duhet të ndërmerren disa reforma shumë të mëdha.
“Në vitin 2022, nëse do të ketë sukses, do të ndërmerren disa reforma gogja të rëndësishme, po flasim për ligje. Në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar, Qeveria ka miratuar dy projektligje shumë të rëndësishme, që janë projektligji për Qeverinë dhe projektligji për financimin e subjekteve politike, që është një nga kriteret e ERA-s, Agjendës për Reforma Evropiane. Kjo e rregullon mënyrën se si do të bëhet financimi i subjekteve politike, rregullat e brendshme e rregullojnë se si financohen ata, kjo e rritë transparencën e financimit, që ka qenë problematikë që e ka evidentuar edhe Komisioni Evropian. Përpos kësaj kanë filluar edhe hapat e parë për reformën zgjedhore.”