Në kuadër të bashkëpunimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj me pjesëtarët e KFOR-it amerikan të kampit ushtarak ‘’Bondsteel’, sot në Drejtorinë Rajonale të Policisë Ferizaj është mbajtur një ligjeratë me temë, ‘’Reagimi për dhunën në familje ’’nga Jake- Joseph Allard, Ndihmës Oficer për Dhunë në Familje, nga Departamenti i Policisë së Andover, në Masaçusets të SHBA-së.
Bazë e kësaj ligjerate, ishin leksionet, metodat dhe përvojat që janë përdorur në rastet e dhunës në familje nga Departamenti i Policisë së Andover, në Masaçusets, të cilat në përgjithësi kishin dhënë rezultate të mira.
Gjithashtu gjatë kësaj ligjerate u shkëmbyen edhe përvojat për krijimin e marrëdhënieve të mira me agjencionet e shërbimeve sociale, metodat e shërbimit të viktimave të dhunës në familje dhe teknikat e të shkruarit të raportit.
Në këtë takim morën pjesë : Shefi i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori Rajonal i Hetimeve, Shefi i Sektorit Rajonal për Operativë, Koordinatori Rajonal i Dhunës në Familje dhe të gjithë hetuesit primarë të rasteve të dhunës në familje, të stacioneve policore : Ferizaj, Kaçanik, Shtime , Shtërpcë dhe Hani Elezit.
Drejtori Rajonal i Policisë, Nënkoloneli Basri Shabani, i falenderoi pjesëtarët e KFOR-it amerikan që mundësuan relaizimin e kësaj ligjerate, të dobishme për pjesetarët e Policisë së Kosovës-Rajoni i Ferizajt dhe me këtë rast u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave dhe trajnimeve, me qëllim të avancimit të mëtejmë të policisë rajonale të Ferizajt, për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, që policia në mënyrë sa më profesionale ti trajtojë viktimat e dhunës në familje, dukuri kjo që po e përcjellë shoqërinë tonë.