E pranon nënkryetarja e VV-së: Qeveria Kurti s’ka pasur strategji të mirë për krizën energjetike

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se qeveria e drejtuar nga shefi i saj, Albin Kurti, nuk ka pasur strategji të mirëfilltë për t’u përballur me krizën energjetike.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës në emisionin “Ballkan”, ka thënë se kanë pasur disa propozime, por nuk është menduar asnjëherë për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.

“Qeveria Kurti e ka vërejtur që nuk kemi pas një strategji të mirëfilltë për t’u përballë me krizën energjetike. Kemi pasur propozime, por asnjëherë nuk është menduar për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Fillimisht e kemi shpallë krizë energjetike, do të ndërmerren disa hapa që nuk mund të bëheshin pa e e marr këtë vendim”, ka thënë ajo.

Ani pse ende nuk ka asgjë të vërtetuar, Mulhaxha-Kollçaku, njëjtë si ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pretenduar se dikush po i ndalë me qëllim siguresat.

“Përveç krizës reale, ka pasur disa elemente, kemi pas paralajmërime nga disa qytetarë se po i largojnë siguresat, por ne kemi rrymë në vendin tonë”, tha ajo.

Ndërkohë, Kosova prej të gjitha vendeve në Evropë, është prekur më së rëndi nga kriza energjetike.

Për disa ditë rresht, shumë qytete janë përballur me reduktime të cilat, edhe pse u tha se do të jenë vetëm nga dy orë, në disa komuna zgjatën më shumë.

Së fundi, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në vend, duke e konsideruar këtë si formë për kursimin e energjisë elektrike.