Balje: Shumë grave, që kanë raportuar dhunën, policia iu ka thënë ‘shko në shtëpi dhe rregulloi senet me burrin’

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, ka thënë se në Kosovë ka gjendje alaramante sa i përket dhunës ndaj gruas.

Balje ka thënë se Ligji i ri për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje pritet të jetë shumë më i ashpër në raport me dënimet ndaj atyre që ushtrojnë çfarëdolloj dhune ndaj gruas.

“Jemi duke provuar që ta përmirësojmë gjendjen, por nuk jemi shumë të suksesshëm. Kemi një praktikë që kur ndodh diçka ne jemi shumë radikalë, më pas prapë heshtje. Jemi në rrugë për të ndërtuar një ligj të ri kundër dhunës ndaj grave dhe jemi gati praktikisht për leximin e parë pas pushimeve. Kemi një ligj më radikal, por kemi një sistem ku gruaja në Kosovë nuk është e sigurt as në shtëpi. Këtu kemi shumë probleme, prandaj duhet që prej hapit të parë, që është polici, që shkon në vend të ngjarjes ose pas lajmërimit të dhunës, deri në momentin e fundit të jemi shumë më seriozë. Jemi duke reaguar çdo ditë, por prapëseprapë nuk kemi pasur shumë sukses. Për fat të keq, edhe kuvendi, qeveria, Ministria e Drejtësisë dhe organizatat joqeveritare jemi në një zë kundër dhunës ndaj gruas, por gjendjen e kemi shumë alarmante. Duhet të punojmë dhe ta ngremë zërin më shumë. Kemi problem edhe në shtëpi edhe në mënyrën qysh jemi duke rritur fëmijët, prandaj të gjithë duhet të bëjmë një hap përpara”.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se hapi i parë në trajtimin e dhunës ndaj gruas është gabim, pasi, sipas saj, jo rrallë herë ndodh që pasi gruaja e raporton rastin në polici, nga këta të fundit nuk merret seriozisht.

Ajo thotë se shumica e grave që marrin guximin të shkojnë në polici për të treguar se kanë dhunë në familje më pas përballen me një realitet edhe më të rëndë për shkak të mentalitetit.

“Unë mendoj se ne nuk jemi duke i marrë shumë seriozisht këto raste, fillimisht nga ana e policisë. Unë jam në kontakt çdo ditë me këto gra, ku në fakt ne kemi ndihmuar një grua me nënshtetësi jokosovare që të dalë jashtë shtetit. Është edhe një grua që shumë vjet është duke përjetuar dhunë dhe burri është në paraburgim, e tash ka frikë si do të jetë kur të dalë burri nga paraburgimi. Ka dy djem (14 edhe 16 vjeç) dhe nuk do të shkojë në strehimore sepse nuk do të jetojë pa fëmijët. Te ne, për shkak të kulturës dhe traditës që kemi, gruaja kur shkon ta lajmërojë dhunën për herë të parë nuk po e marrim këtë shumë seriozisht. Shumica prej atyre grave thonë se policia i ka thënë ‘Hajde shko në shtëpi dhe rregullo senet me burrin’. Edhe prokurorët kanë problem sepse gratë, pasi e lajmërojnë rastin e dhunës nga burri, më pas kalojnë shumë keq edhe me familjen e vet edhe të burrit, sepse te ne me lajmëru një burrë, je grua shumë e keqe, pa marrë parasysh nëse ke dhunë në shtëpi. Fuqia e një gruaje që të shkojë dhe ta lajmërojë dhunën duhet të merret shumë seriozisht”.

Balje ka thënë se si deputete e Kuvendit të Kosovës do të flasë tash e tutje me emra, nëse ka informata të sigurta për këdo që nuk e kryen punën si duhet në trajtimin e këtij fenomeni në Kosovë.