Shefi i Stafit të Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Admirali Sir Antony Radakin, ka paralajmëruar se aktivitetet e nëndetëseve ruse po i kërcënojnë kabllot nënujore, të cilat janë jetike për sistemet e komunikimit përreth botës.
Zyrtari i lartë britanik tha se kabllot nënujore, të cilat i transmetojnë të dhënat e internetit, janë “sistemi i vërtet informues i botës” dhe shtoi se cilado përpjekje për t’i dëmtuar ato do të mund të vlerësohej si “akt lufte”, shkruan Independent, përcjell Gazeta Express.
Duke folur për “The Times” në intervistën e parë që nga marrja e postit të ri, ish-komandanti i Forcave Detare Mbretërore tha se në 20 vitet e fundit ka ekzistuar një “rritje fenomenale e aktivitetit nënujor rus dhe e nëndetëseve ruse”.
Ai tha se kjo nënkupton që Moska “do të mund ta vinte në rrezik dhe potencialisht ta shfrytëzonte sistemin e vërtetë informues të botës, që janë kabllot nënujore, të cilat shkojnë përreth tërë botës”.
Forcat britanike i kanë përcjellur aktivitetet e nëndetëseve ruse. Përplasja e raportuar ditë më parë e një nëndetese ruse me luftanijen britanike “HMS Northuberland” në fund të vitit 2020 ka nxitur spekulime rreth aktivitetit për zbulimin e hartave të kabllove nënujore.
Admirali Radakin tha se Britania e Madhe ka nevojë që të zhvillojë raketa balistike për të qenë në hap me konkurrencën ushtarake. Ai e theksoi aftësinë e raketave hipersonike dhe raketave me rreze të gjatë veprimi të Rusisë si kërcënim, ndërsa kapacitetet krahasuese të Britanisë i cilësoi dobësi. “Nuk i kemi ato dhe duhet t’i kemi”, tha Radakin.