MSH e përjashton Asociacionin e Komunave nga takimi i Komitetit anti-COVID

Ministria e Shëndetësisë duket se ka përjashtuar përsëri Asociacionin e Komunave të Kosovës nga Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Në kohën kur Kosova po regjistron shifra më të lartë të të infektuarve me COVID-19, bashkëpunimi me këtë Asociacion dhe akterë tjerë, është parë i rëndësishëm.

Nga AKK kanë thënë për Express se dy herët e fundit nuk janë ftuar në mbledhjet e Komitetit dhe se me këtë e kanë kuptuar se janë përjashtuar nga Komiteti përsëri.

 

“AKK si përfaqësuese e komunave përsëri është përjashtuar nga Komiteti Anti-COVID. Komunat gjithmonë kanë kërkuar bashkëpunim korrekt dhe të sinqertë në mënyrë që bashkarisht të luftohet përhapja e COVID-19, mirëpo Ministria e Shëndetësisë për herë të dytë në mënyrë arbitrare përjashton AKK-në nga ky komitet”, kanë thënë nga ky Asociacion.

AKK ishte përjashtuar nga Komiteti edhe gjatë kohës kur Arben Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, por që pas reagimit edhe të kryetarëve të komunave, ky asociacion është rikthyer përsëri.

Ndërsa, AKK gjatë këtij viti nuk ishte ftuar as në takimin e organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ku do të diskutohej për masat Anti-COVID.

Si rrjedhojë, edhe kryetarët e komunave kishin bojkotuar këtë takim.