Ky është reagimi i OKB-së pasi Kosova e shpalli “non grata” zyrtarin rus të UNMIK-ut

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar deklaratë zyrtare pasi Kosova shpalli “non grata” një zyrtar rus të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric ka deklaruar se UNMIK-u nuk ka pranuar asnjë komunikatë zyrtare nga institucionet e Kosovës për këtë vendim ndaj zyrtarit të tyre.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se OKB-ja e konsideron të pazbatueshme shpalljen “non-grata”, duke thënë se ajo nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47.

“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në reagim.

Çdo çështje në lidhje me personelin e UNMIK-ut, sipas OKB-së, duhet t’i adresohet këtij Misioni që ta trajtojë vetë.

“Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqësisë së Misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij”, thuhet në deklaratë.

“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masa adekuate për të garantuar sigurinë e stafit në falë dhe po merren me autoritetet relevante në këtë çështje”, thuhet në fund të deklaratës së lëshuar të Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të premten e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.

“Sot, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka shpallur person non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut me zyrë në Prishtinë. Kosova qëndron me aleatët e saj për të vepruar kundër veprimeve të dëmshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues”, u tha në njoftimin e MPJD-së.