Dialogu: 9 muaj, disa takime, zero rezultate – edhe një vit tjetër i çuar dëm drejt marrëveshjes Kosovë – Serbi

Viti 2021 ishte edhe një vit i çuar dëm sa i përket dialogut Kosovë – Serbi. Dy takime të nivelit të lartë dhe takime të tjera në nivelin e ekspertëve u zhvilluan në Bruksel, por rezultatet ishin të zbehta, për të mos thënë se nuk kishte fare rezultate.

Për herë të parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u takuan më 15 qershor të vitit 2021. Takimi midis dy liderëve u përcoll me tensione dhe tensionet ishin rezultati i vetëm i këtij takimi, shkruan lajmi.net.

Pas takimit, të dy liderët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian u deklaruan për media, për të dhënë versionin e tyre për takimin e mbajtur, ndërsa produkti nuk ishte edhe aq i mirë sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

I NGJAJSHËM

DIALOGU: 9 MUAJ, DISA TAKIME, ZERO REZULTATE – EDHE NJË VIT TJETËR I ÇUAR DËM DREJT MARRËVESHJES KOSOVË – SERBI

“ Të dy liderët patën një shkëmbin idesh në lidhje me atë që ata presin nga dialogu. Ajo çfarë ka rëndësi për BE, është e njëjtë si ajo që kanë konfirmuar edhe dy liderët se nuk ka formë tjetër për të ecur përpara përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata do të punojnë në normalizimin e këtyre marrëdhënieve nëpërmjet dialogut”, deklaroi Lajçak pas takimit.

Sipas Lajçakut, blloku evropian, bashkë me popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të ecin përpara me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt të ardhmes evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se gjatë takimit ka prezantuar ide të reja dhe ka shprehur vullnetin e tij në dialogun konstruktiv.

“Kosova dhe Serbia, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Pas njohjes së ndërsjelle midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë edhe pakicat etnike, “ tha Kurti.

Kurti ka thënë edhe se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje “që nuk pret” dhe ka kërkuar të ndërmerren hetime për krerët e delegacionit serb në Kosovë, gjatë viteve të luftës.

Me tone më të ashpra u shpreh presidenti serb, i cili deklaroi se palët kishin rënë dakord paraprakisht për pothuajse asgjë.

“Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë . Ai tha: “Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu”, theksoi Vuçiç.

Në këtë takim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte propozuar 4 pika për marrëveshje me Serbinë, por një prej tyre ishte injoruar e tri të tjera ishin refuzuar nga Vuçiq.

“1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq. Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve.”, shkroi Kurti pas takimit.