Gjermanët nuk besojnë në kthim në normalitet as vitin e ardhshëm

Në fund të vitit 2021, optimizmi në Gjermani është në nivel shumë të ulët, rrjedhimisht vetëm 15% e gjermanëve besojnë se pandemia do të përfundojë pjesërisht apo krejtësisht përgjatë vitit 2022, tregojnë rezultatet e sondazhit të kryer nga kompania YouGov.

Rreth 79% e të anketuarve të intervistuar nga 21 deri më 23 dhjetor besojnë se koronavirusi së paku pjesërisht do të ndikojë në jetën e përgjithshme të qytetarëve edhe gjatë vitit 2022. Rreth 34 për qind presin që ndikimi i pandemisë do të jetë më i madh.

Krahas kësaj disponimi i të anketuarve ishte edhe më i keq një vit më parë kur YouGov llogariti se vetëm 26 për qind e gjermanëve “shihnin dritë në fund të tunelit”.

Atëkohë, Gjermania ishte në izolim, por fushata e sapofilluar e vaksinimit konsiderohej arsye për shpresë.

Meqë vaksinat e para arritën në shtet në dhjetor të vitit 2020, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, kishte thënë që vjeshta dhe dimri i vitit të ardhshëm nuk do të jenë më nën ndikimin e pandemisë.

Megjithatë, Gjermania ditëve të fundit është duke regjistruar shifra rekorde të rasteve të reja me koronavirus dhe kufizimet mbesin në fuqi, qoftë për persona të vaksinuar, qoftë për ata të pavaksinuar.

Kriza aktuale me koronavirus në Gjermani është e vështirë të përcillet për shkak të vonesave në testime dhe paraqitje të rasteve të reja si pasojë e festave të fundvitit, deklaruan autoritetet shëndetësore ditëve të fundit.

Por, më 30 dhjetor Instituti Robert Koch njoftoi për 42,770 raste të reja me koronavirus dhe 3,838 raste të vdekjes. Javën e shkuar shifrat ishin 44,927 me 425.

Masat kundër përhapjes së pandemisë të përcaktuara më 21 dhjetor vlejnë për kufizim të kontaktit me qëllim të parandalimit të përhapjes së variantit, Omicron, hynë në fuqi më 28 dhjetor në gjithë territorin e Gjermanisë.