Verifikimi e konfiskimi i pasurisë, Haxhiu: Kemi parë dënime qesharake

Ministria e Drejtësisë gjatë së premtes procedoi njërin nga projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila fillimisht do të merr dritën jeshile të kabinetit qeveritar.

Me Byronë, barra për të justifikuar pasurinë bie te zyrtari dhe jo siç ka qenë deri më tash tek prokuroria. I njëjti mekanizëm nuk do të merret me të gjithë qytetarët, por vetëm me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të institucioneve.

Titullarja e këtij institucioni, Albulena Haxhiu, deklaroi për KosovaPress se Byroja do të ketë staf të specializuar, por fjalën e fundit për konfiskim të pasurisë do ta japi gjykata duke respektuar edhe të drejtën e ankesës së palës tjetër.

Sipas Haxhiut, dënimet e deritashme për të personat e korruptuar kanë qenë qesharake dhe Byroja do të jetë zgjidhje për këtë çështje.

“Do të ketë staf të profilizuar dhe të specializuar në raport me adresimin e çështjes së pasurisë së pajustifikueshme, barra e provës do t’i bie zyrtarit që thirret për të justifikuar pasurinë për faktin se aktualisht barra e provës është tek Prokuroria dhe kjo në vazhdimësi ka dështuar, pra Prokuroria nuk ka arritur që përmes hetimeve që ka bërë të ngre aktakuza dhe t’i pasqyrojë ato para gjykatës dhe t’i mbrojë ato dhe është situata ku ne, nuk mbaj mend, kur ndonjë profil i lartë i cili ka keqpërdorur detyrën zyrtare që sot është para përgjegjësisë penale. Pra, dënimet që janë dhënë deri tani dhe atë ndaj disa zyrtarëve më të ulët, kanë qenë vendime qesharake dhe motiv për të korruptuarit për të vazhduar me afera të tilla, prandaj është koha e fundit kur ne duhet të angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim dhe unë besoj që kjo do jetë zgjidhje më e mirë sesa që e kemi aktualisht”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu thotë se është e interesuar që projektligji për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të hyjë në fuqi sa më shpejtë, por që nuk do të nxitohet, pasi dëshiron që t’i jap kohë edhe Komisionit për Legjislacion që të organizojë dëgjimin publik.

“Për mua si ministre, por edhe për Qeverinë e Kosovës, është që ky ligj të hyjë në fuqi sa më parë, mirëpo duke marrë parasysh natyrën e tij nuk mund të kërkojmë procedura të përshpejtuara sepse megjithatë konsiderojmë që edhe Komisioni për Legjislacion duhet të organizojë dëgjim publik dhe të marrë opinionet e palëve të interesuara në këtë drejtim, çështja është se do të trajtohet pasuria e zyrtarëve që kanë punuar në institucionet e Republikës së Kosovës apo që punojnë në institucionet e Kosovës”, tha Haxhiu.

“Nuk i kemi përfshirë qytetarët e Republikës së Kosovës sepse në fillim ka pasur një tendencë për të hedhur hi para qytetarëve të Kosovës që kinse të gjithë qytetarët do të verifikohen kjo nuk qëndron për faktin se nëse një qytetar përfshihet në afera është legjislacioni penal që merret me këtë, ne do të fokusohemi në zyrtarët dhe ish zyrtarët që kanë punuar në institucionet e Kosovës”, përfundoi Haxhiu.