Të hënën do të protestohet para objektit të KEDS për reduktimet e rrymës që po ndodhin gjatë këtyre ditëve.
Përmes kësaj proteste përveçse do të kërkohet furnizim me energji elektrike 24/7 do të kërkohet edhe shkarkimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe nacionalizim të kompanisë KEDS.
Kështu bëri të ditur në konferencën për medie, përfaqësuesi i protestës, Dibran Hoxha.
“Të hënë me 27 dhjetor duke filluar prej orës 13:00 mblidhemi pranë KEDS në protestë ndaj kësaj gjendej alarmante dhe kërkojmë rrymë 24 orë në 7 ditë të javës, shkarkim të ministres Rizavnollit dhe nacionalizim të KEDS. Protestat nuk do të ndalen derisa kjo kompani të marrë përgjegjësitë e saja dhe t’i kthehemi normalitetit dhe njëkohësisht të na hap rrugën për nacionalizimin e kësaj kompanie që i takon Kosovës”, tregoi Hoxha në konferencën për medie të mbajtur sot para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Hoxha në konferencën për medie tha se gjithë Qeveria është vënë në shërbim të kompanisë KEDS. E për këtë të fundit tha se është dashur t’i parashikojnë edhe pengesat karshi fitimit të saj. Megjithëkëtë ai theksoi se kjo kompani po vazhdon të fitojë në kurriz të qytetarëve.
“Arsyetimet e tyre kinse nuk po mund ta planifikojnë konsumin dimëror në këtë masë kaq të madhe janë banale dhe ofenduese për qytetarët e këtij vendi. Nëse një kompani private sikurse KEDS mund ta parashikojë profitin apo fitimin e asaj kompanie për çdo vit ata duhet medoemos duhet ta parashikojnë edhe ndonjë pengesë që mund t’iu dalë gjatë rrugës për të arritur profitin e tyre. Mirëpo KEDS po vazhdon të fitojë në kurriz të qytetarëve të Kosovës. E gjithë Qeveria është vënë në shërbim të ruajtjes dhe mbrojtjes së kësaj kompanie që nga ndarja e 20 milionë eurove të parasë publike për këto kompani private e deri te konferenca qesharake të ministres Rizvanolli ne jemi vënë në shërbim të kësaj kompanie, sikur t’ia kishim borxh mirëqenien e saj. Kjo krizë përveç që është duke paralizuar çdo aspekt të funksionimit shoqëror dhe ekonomik, është duke treguar edhe se shërbimet esenciale nuk duhet të lihen në dorë të sektorit privat”, u shpreh ai në konferencë.