Një muaj paraburgim zv/drejtorit në Malishevë që dyshohet që ngacmoi seksualisht një nxënëse

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë
Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual.
Sipas kërkesës, “rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra
penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.