Në televizionin argjentinas, pas udhëtimit të gazetares për në Paris, ku u regjistrua intervista, agjentja e sulmuesit të PSG ka rrëfyer si e zbuloi trekëndëshin e dashurisë dhe tradhtinë e të shoqit me Eugenia “China” Suárez.
Pyetjes se si filloi, si hyri në celularin e Mauros, ajo iu përgjigj: “Ishim në piknik, vajzat po shëtisnin mbi kuaj. Unë po flisja me gruan që organizon festat tona në Paris. Ajo më kërkoi foton e vajzës së vogël, që kishte ditëlindjen, për të përgatitur diçka surprizuese për të. U kujtova se Mauro kishte një foto të bukur në celularin e tij, hyra aty për t’ia nisur personit që po merrej me përgatitjet e ditëlindjes. Aty pashë pamjet e një bisede me një grua shumë të famshme, që tashmë e njihni”.
Duhet përmendur fakti se Wanda nuk ia përmendi fare emrin, teksa iu referua China Suarezit. Ajo që u transmetua në “Telefe Noticias” është parathënie e speciales që Susana Giménez filmoi në Paris për të treguar jetën e Wandës dhe Icardit në kryeqytetin francez, si dhe folur mbi skandalin e muajit të fundit.
Regjistrimet janë bërë në vende të ndryshme. Në intervistën me Kullën Eifel në sfond, Wanda sqaroi: “Unë jam një grua e modës së vjetër. Për mua, edhe një mesazh i vogël nënkupton divorcin… Nuk kemi pasur kurrë probleme të këtij lloji, ju betohem për të pesë fëmijët e mi. Kur pashë mesazhin, mora pesë fëmijët dhe hipa në avionin e parë për në Itali”.
Pas reagimit të parë dhe postimit në Instagram, që ka bërë xhiron e botës, shpirtrat janë qetësuar. “Folëm shumë, më tha të mendoja për familjen, që ishte gabimi i jetës së tij. Mund t’i ndodhë kujtdo, e rëndësishme është që ia dolëm ta ruanim martesën”, – shtoi më tej Wanda Nara.
Lidhur me epitetet e përdorura për China Suarez, gruaja e Icardit nënvizoi: “Gjëja e parë që bëra ishte të kërkoja falje për atë postim me një fjalë jo shumë elegante…” “Është e kuptueshme, është njerëzore të bësh një gabim të tillë”, ngushëlloi intervistuesja, Susana.
Më në fund, Wanda shpjegoi pse vendosi të falte bashkëshortin e saj: “Mund të vazhdojmë të jemi bashkë dhe do t’ia filloja sërish me të. Atij i vjen keq dhe unë besoj te kërkim falja. E pashë në sy, ishim vetëm dhe besoj në pendimin e tij… Çdo gjë në jetë ndodh për një arsye, e rëndësishme është dashuria. Të dy patëm mundësinë të zgjidhnim sërish njëri-tjetrin”.