Agim Ademi: Jemi pjekur, në ciklin tjetër kërkoj kualifikimin e Kosovës

Vetëm një fitore, dy barazime e pesë humbje është bilanci i Kosovës në kualifikimet e botërorit, ku për Dardanët, ky cikël u mbyll të dielën.

Pritshmëritë e të parit të shtëpisë së futbollit, Agim Ademit, ishin më të larta, duke thënë për Sportin në Klan Kosova se nuk është i kënaqur me rezultatin e arritur, dhe se Kosova ka ekip më të mirë se sa të përfundojë në pozitën e fundit në tabelë.

Ademi thotë se kanë ndikuar disa faktorë në këto rezultate, duke nisur me lëndimin e Arbër Zenelit, kalimin e Vedat Muriqit në Lazio dhe mos gjetjen e formës së më të mirë, kalimin e Milot Rashicës në Premier League si dhe largimi i selektorit Bernard Challandes.

Megjithatë, tash kërkon kualifikim të Kosovës në ciklin tjetër, pasi sipas Agim Ademit, Kosova është pjekur, futbollistët luajnë së bashku për një kohë të gjatë, janë kaluar dy kualifikime të botërorit, një i evropianit dhe një tjetër i Ligës së Kombeve.