NË SHENJË PËRKUJTIMI; NEXHAT SHOSHI, VIZIONAR DHE ATDHETAR I MADH

Sot ia japim lamtumirën mikut tim, përfaqësuesit të FFK-së në Gjermani, atdhetarit të madh, Nexhat Shoshi!

Një ditë e rëndë pikëllimi për familjen dhe të gjithë dashamirët e tij, por njëherësh edhe ditë krenarie, për shkak të veprës dhe kontributit të tij për atdheun, e veçmas për futbollin.

Nexhati, së bashku me familjen e tij, i dhanë shumë futbollit të Kosovës, si në periudhën para pranimit në UEFA e FIFA, ashtu edhe pas pranimit. Si përfaqësues i FFK-së në Gjermani, ai vazhdimisht ishte në mbështetje të punës sime dhe të FFK-së. Sa herë takoheshim ishte kënaqësi të bisedoja me të për futbollin dhe për të ardhmen e vendit tonë, pasi ishte një atdhetar i madh dhe vizionar.

Nexhati me vëllezërit dhe miqtë e tij ishin urë lidhëse e FFK-së me Federatën e Futbollit të Gjermanisë, atëherë kur nuk ishte e lehtë të vendoseshin kontakte zyrtare me federatat tjera.

Ikja e tij nga kjo botë është një humbje shumë e madhe për familjen, por edhe për futbollin e Kosovës, ngase humbën njërën prej shtyllave më të forta në Diasporë.

Duke bashkëndjerë dhembjen me familjen Shoshi, u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta të gjithë atyre që e njohën dhe e kishin mik!

Nexhati dhe puna e tij do të mbesin gjithmonë shembull se si duhet punuar dhe dashur atdheu, pa marrë parasysh se ku jeton dhe vepron.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, të cilën aq shumë e deshe!

I përjetshëm kujtimi për TY miku im!

Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së.