Kushtetuesja pezullon përkohësisht vendimin për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHCK-së

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

“Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Vendimin e publikuar, duke theksuar se vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat e rastit, Gjykata vendosi masën e përkohshme deri më 15 dhjetor 2021, duke pezulluar menjëherë Vendimin e kontestuar dhe duke përcaktuar që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës”, thuhet në kumtesë.

“Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës para Gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese”.

Në kumtesë thuhet se gjykata ka sqaruar se duke pasur parasysh që Vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij tek Presidentja.

“I njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, dhe duke marrë parasysh që kërkesa para Gjykatës ngreh një sërë çështjesh lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e Këshillit, si një institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutë dhe i cili siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, vlerësoi se është e nevojshme vendosja e masës së përkohshme sipas detyrës zyrtare, bazuar në nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregullin 56 (Kërkesa për Masë të Përkohshme) të Rregullores së Punës”.