KQZ ka pranuar mbi 1900 pako me fletëvotime nga diaspora

Deri në fund të javës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar mbi 1900 pako me fletëvotime nga jashtë për zgjedhjet lokale. Këto pako janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është diskutuar edhe shkresa e Ministrisë së Arsimit, që të mos shfrytëzohen hapësirat e shkollave për fushatë zgjedhore. Për këtë, pati paqartësi nga anëtarët e komisionit, se a ndalohet edhe shfrytëzimi i hapësirave të jashtme. Deri më tani, nëntë tubime janë mbajtur pa i përfillur masat dhe rregullat zgjedhore, si dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat mbrojtëse anti-COVID.
Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se nga MAShTI kanë pranuar shkresë për ndalimin e aktiviteteve të fushatës në hapësirat e brendshme të shkollave.“Për ndalimin e aktiviteteve të fushatës në hapësirat e brendshme të shkollave. Kur ndër të tjera kërkon nga KQZ që subjekteve politike t’u ndalohet shfrytëzimi i hapësirave të brendshme të shkollave për aktiviteteve të fushatës. Me qëllim që hapësirat e shkollës të mbesin të sigurta dhe në shfrytëzim vetëm të personit shëndetësor. E cila do të ndikonte në ruajtjen e shëndetit të fëmijëve dhe qëndrim të sigurt në shkollë. Pra, kjo është kërkesa që i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë Ahmetaj.
Mirëpo, anëtarët e komisionit kanë kërkuar interpretim më të saktë nga MAShTI se a ndalohet edhe shfrytëzimi i hapësirave të jashtme për mbajtjen e fushatës zgjedhore. Arianit Elshani nga Partia Demokratike ka kërkuar nga Ahmetaj që të sqarohet një gjë e tillë nga kjo ministri.“Unë po kërkoj që të sqarohet, që të ketë një interpretim, mos të kemi disa interpretime brenda KQZ-së. Mos të ketë interpretime të ndryshme në komuna të ndryshme. Të kemi një interpretim të saktë se çfarë është kërkuar nga KQZ. Në qoftë se ndalohen në tërësi, ndalohen në tërësi. Në qoftë se ju ndalohen në hapësirat e oborreve të shkollave në rregull jemi. Vetëm të sqarohet për subjektet politike për kandidatët e pavarur”, ka kërkuar ai.Votimi përmes postës ka nisur më 15 shtator, ndërkaq përfundon më 15 tetor.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka pranuar mbi 1900 pako me fletëvotime.“Deri më datën 1 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar gjithsejtë 1932 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr nën përcjelljen e Policisë së Kosovës nga zyra postare, numër 6, në Prishtinë. Pra, gjitha këto pako janë të ruajtura në hapësirën, e cila shfrytëzohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Ministrinë e Infrastrukturës. Pakot me fletëvotime janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës përgjatë 24 orëve dhe hapësirat e brendshme janë të mbuluar me kamera”, ka thënë ai.Ndërsa, sa i përket regjistrimit të votuesve me nevoja të veçanta, KQZ ka dërguar shkresa në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.“Ka dërguar shkresa në dy institucione, në Ministrinë e Drejtësisë ku ka dërguar shkresë për të kërkuar të dhëna të votuesve që në ditën e zgjedhjeve që gjenden në qendrën e paraburgimit, qendrat korrektuese dhe në burgun e Sigurisë së Lartë. Dhe shkresa tjetër është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar të dhëna të votuesve që në ditën e zgjedhjeve gjenden në institucionet e kujdesit shëndetësor. Afati për të pranuar të dhënat me emrat e votuesve në këto dy institucione është 4 tetor”, ka shtuar ai.Ahmetaj po ashtu ka bërë të ditur se janë paraqitur 390 kërkesa për tubime politike, por ka pasur raste ku janë shpërfillur masat anti-COVID.“Deri më datën 30 shtator, nëntë tubime janë mbajtur pa i përfillur këto masa dhe rregulla zgjedhore, si dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat mbrojtëse anti-COVID. Kurse, prej 390 kërkesave për tubime politike të cilat i ka miratuar edhe lejuar KKZ dhe Policia e Kosovës, 76 prej tyre edhe pse janë lajmëruar për tu mbajtur, nuk janë mbajtur nga subjektet politike. Gjatë kësaj periudhe 15 ditore, që nga fillimi i fushatës zgjedhore deri më tani fushata konsiderohet të jetë e qetë”, ka përfunduar ai.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar edhe 2951 vëzhgues për zgjedhjet e 17 tetorit, ku deri më tani janë 14 mijë të akredituar. Zgjedhjet lokale zhvillohen më 17 tetor në 36 komuna të Kosovës.