Fituesit e zgjedhjeve parlamentare janë socialdemokratët. Por votën për ndryshim e morën Të Gjelbrit dhe FDP, pa të cilët nuk mund të formohet qeveria. Ata janë fituesit e vërtetë, shkruan Auron Dodi.
Për momentin në Gjermani kemi vetëm konsultime të partive fituese në zgjedhje. Negociatat nuk kanë nisur ende. Po konsultohen me njëra-tjetrën dy partitë më të vogla, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së, që morën në zgjedhje përkatësisht 14,8 përqind dhe 11,5 përqind. Konsultime ato kanë kërkuar edhe me partitë e mëdha: këtë të diel (03.10.) liberalët e FDP-së do të konsultohen me CDU/CSU-në. Ndërsa javën që vjen ata do të bisedojnë me socialdemokratët. Të martën janë Të Gjelbrit, që do të bisedojnë me CDU/CSU, raporton DW në gjuhen shqipe.
Fakti që inciativën për konsultime nuk e marrin partitë më të mëdha, socialdemokratët dhe CDU/CSU, si zakonisht, flet për realitetin e ri pas këtyre zgjedhjeve në Gjermani. Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së jo vetëm janë vendimtarë për formimin e çdo qeverie treshe pas zgjedhjeve. Mënyra me vetëbesim si po veprojnë flet se këto parti janë të ndërgjegjshme se votën për ndryshim, gjermanët ua dhanë atyre, jo partive më të mëdha. Këto parti i zgjodhën jo vetëm një pjesë e madhe e gjermanëve, por edhe shumica e votuesve të rinj. Ndaj janë ato që do të përcaktojnë të ardhmen e Gjermanisë.
Raporte politike më pak të qarta se shpresohej
Është fakt i pamohueshëm që socialdemokratët i fituan këto zgjedhje. Por rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve ka sjellë shumë më pak qartësi për raportet politike, nga ajo që pritej.
Socialdemokratët morën 1,6 përqind më shumë se konservatorët e CDU/CSU. Ata morën 25,7 përqind, përballë 24,1 përqind, që mori CDU/CSU. Socialdemokratët arritën një nga rezultatet e ulëta historike të tyre. Megjithatë, ata jo vetëm dolën të parët, por janë rritur rreth 5 përqind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
CDU/CSU vjen një hap pas socialdemokratëve. Por konservatorët morën 9 përqind më pak se zgjedhjet e shkuara. CDU/CSU ka rezultatin më të ulët pas Luftës së Dytë Botërore dhe doli e dyta. Në këto kushte janë socialdemokratët, që pretendojnë të parët mandatin për qeverinë.
Në Gjermani, nga ana tjetër, dihet që qeverinë mund ta formojë edhe partia e dytë, po të mbledhë shumicën, me partnerë koalicioni. Kjo ka ndodhur tre herë: në vitet 1969, 1976 dhe 1980. Në këto vite e para në zgjedhje doli CDU/CSU-ja. Por qeverinë në fund e drejtuan socialdemokratët, me kancelarët e njohur Willy Brandt dhe Helmut Schmidt. Kjo ndodhi pasi liberalët e FDP-së atëherë vendosën të mbështesin socialdemokratët.
A kemi një zhvendosje majtas të elektoratit në Gjermani?
Në bazë të numrit të përgjithshëm të votave, që u dhanë për partitë e përfaqësuara në parlament, mbështetja për partitë e majta dhe të djathta është e balancuar.
45,4 përqind përqind të votave të gjermanëve i mori qendra e majtë, pra kaq mbledhin së bashku SPD dhe Të Gjelbrit, si dhe Partia e Majta, që nuk hyn në qeveri, por është në parlament.
45,9 përqind të votave i merr qendra e djathtë, pra CDU/CSU dhe liberalët e FDP-së dhe partia ultra e djathtë AfD, që përjashtohet si partnere.
Nga partitë që diskutohen për të formuar qeverinë: qendra e majtë, pra SPD dhe të Gjelbrit mbledhin 40,5përqind. Kurse CDU/CSU dhe liberalët e FDP-së, mbledhin 35,6 përqind. Por këto janë shifra. Rezultatet e zgjedhjeve evidentojnë gjithmonë më shumë se shifrat.
Domethënia e rezultatit të zgjedhjeve
Rezultati i këtyre zgjedhjeve parlamentare në Gjermani evidentoi elementë të rinj.
Së pari, ai tregon ndryshimin e thellë në spektrin partiak në Gjermani. Për herë të parë prej vitit 1949, partitë tradicionale, CDU/CSU dhe SPD nuk arrijnë të mbledhin së bashku shumicën e votave. Mbështetja për partitë është shpërndarë në partitë e vogla. Kjo është risi politike në Gjermani.
Së dyti, rinovimi politik i Gjermanisë nuk po bëhet duke forcuar ekstremet politike, populistët e nacionalistët. Por duke forcuar parti proevropiane, siç janë të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së.
Ekstremet u ndëshkuan në këto zgjedhje: ekstremi i djathtë, AfD mori 2,3përqind më pak se zgjedhjet e kaluara, duke arritur në 10,1 përqind. Postkomunistët e partisë E Majta, morën 4,9 përqind. Kështu që në Gjermani politika bëhet edhe më tej nga qendra.
Një politikë nga qendra e larg skajeve shpesh duket jo interessante. Pyetja që shtrohet është se çfarë u shërben më mirë qytetarëve: një politikë e llojit të Trumpit, apo Berluskonit, apo kjo që ofron Gjermania. Një politikë nga qendra ofron stabilitet, të rëndësishëm për Evropën dhe të lakmuar nga shtete të tjera.
Së fundi, duhet të fiksojmë se këto zgjedhje i fituan socialdemokratët. Dhe konservatorët e CDU/CSU këto zgjedhje i humbën.
CDU-ja humbi për shkak të difekteve në fushatë të kandidatit për kancelar të CDU-së, Armin Laschet. Ajo humbi edhe sepse pati një program jo energjik. Mosqënia e Laschetit njëkohësisht kancelar, veç kryetar i CDU-së, si tradicionalisht, e dobësoi më tej pozicionin e tij. Te CDU ka nisur një proces i pamëshirshëm për të ndëshkuar përgjegjësit për humbjen. Për humbësit kjo parti tregon tradicionalisht pak respekt.
Socialdemokratët fituan, jo për shkak të një programi shumë modern, por të një programi shumë të kuptueshëm për elektoratin e tyre dhe më gjerë. Kandidati Scholz, pjesë e qeverisë aktuale gjermane, i mori të gjitha meritat për veprat sociale të kësaj qeverie. Socialdemokratët ia përshtatën fushatën elektorale personit të Scholzit, gjë që e ndihmoi atë të shfaqet kompetent e të shmangë gabimet.
Deri tani shumëçka flet që do të jenë socialdemokratët, që do të drejtojnë qeverinë e re. Megjithatë, nëse ata dështojn në negociata me liberalët e FDP-së dhe Të Gjelbrit, në lojë hyn sërish CDU/CSU.