Besnik Vasolli, ekspert i Integrimeve Evropiane, ka thënë që prezenca pak më e madhe e KFOR-it në veri – është sipas tij, një lloj garancioni për Kosovën që situata s’do të eskalojë.
“Kyçja e KFOR-it në prezencë pak më të madhe (sepse ata ishin gjithmonë aty) është një lloj garancioni për Kosovën që situata nuk do të eskalojë dhe pikat kufitare nuk do të digjen, ose nuk do të cenohet siguria edhe zyrtarëve të doganës dhe policisë, por edhe qytetarëve që mund të qëllojnë aty”.
Vasolli në Klan Kosova, ka thënë që megjithatë KFOR-i është “linja e tretë e përgjegjësisë në rast të krizës”.
“E para është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe e treta KFOR-i. Në momentin kur KFOR-i ndërhyn normalisht nevoja për një numër të shtuar të njësisë speciale zbehet, sepse garantohet nga ana e tyre siguria edhe e vijës dhe e pikave kufitare. Kjo është një marrëveshje që e kemi me NATO-n dhe KFOR-in dhe kjo duhet të zbatohet.Realiteti është që në kufi e patëm një tensionim të situatës dhe normalisht që ajo duhet të shtensionohet. Qëllimi ka qenë që të vendoset reciprociteti – pra urdhëresa administrative të mbetet në fuqi. Njësitë speciale nuk kanë shkuar aty për të zbatuar domosdoshmërisht vendimin administrativ, por për të siguruar pikat kufitare”, tha ai.
“Ata kanë ardhë në përfundim që aty ka një rrezik që të cenohet siguria e vijës kufitare dhe për këtë arsye ka shkuar njësiti special dhe nëse ky rrezik nuk është më për shkak të prezencës së KFOR-it, është e logjishkme që të tërhiqen dhe nuk duhet të mbesin aty patjetër”, shtoi Vasolli.