Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë për të diskutuar lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve, kërkesë e cila ka ardhur edhe nga Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.
Takimi do të mbahet me datën 13 shtator në ora 17:00, në Kuvendin e Kosovës.
E se duhet të shtyhen zgjedhjet për shkak të pandemisë ka kërkuar edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje. Kreu i Kuvendit ka thënë se zgjedhjet duhet të shtyhen.
“Nuk varet prej meje, por nëse unë do ta thoja mendimin tim personal, unë mendoj se zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Të kundërtën Konjufca e thoshte sa ishte në opozitë gjatë kohës së qeverisjes së Hotit.
“Çu dil në zgjedhje! Çu dil në zgjedhje! Çohuni dilni në zgjedhje të katërtit dorë për dore, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj. Të katërtit në podium! Çohuni përpara; përpara Albin Kurtit. Të katërtit qe i ftoj qëtu. Të katërtit bashkë dorë për dore, Albin Kurti vetë. Ju sfidoj. Dilni dorë për dore të katërtit bashkë edhe thuani i kemi 82 vota. Para qytetarëve, në vota, keni me e pa rezultatin”, thoshte Konjufca në T7.