Këtë javë vjen në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave nga Amerika

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë këtë javë në Kosovë një kontingjent vaksinash kundër COVID-19, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Ai tha se vaksinat dërgohen përmes programit COVAX dhe janë pjesë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në luftën për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë.

Dozat për Kosovën janë pjesë e një blerjeje prej gjysmë miliardi të vaksinës Pfizer të siguruar nga presidenti Joe Biden, në fillim të kësaj vere.

Zyrtari tha se ekipet shkencore dhe autoritetet ligjore të të dyja vendeve kanë punuar së bashku për të siguruar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të vaksinave në Kosovë.

“Ne jemi krenarë që jemi në gjendje t’i dorëzojmë këto vaksina të sigurta dhe efektive për njerëzit e Kosovës. Ne po i ndajmë këto doza jo për të siguruar favore ose për të nxjerrë koncesione. Vaksinat tona nuk vijnë me prapavijë. Ne po e bëjmë këtë me synimin e vetëm – për të shpëtuar jetë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, po udhëheqin botën në një strategji globale të vaksinave “sepse është gjëja e duhur për të bërë. Është gjëja e duhur moralisht, gjëja e duhur nga një perspektivë globale e shëndetit publik, dhe e drejtë për sigurinë dhe mirëqenien tonë kolektive”.

Administrata Biden-Harris, tha ai, e ka të qartë se për t’i dhënë fund kësaj pandemie kërkohet eliminimi i saj në gjithë botën.

Përveç 2 miliardë dollarëve të dhuruar për programin COVAX, qeveria amerikane ka blerë 500 milionë vaksina Pfizer-BioNTech për t’i shpërndarë ato gjatë gjithë vitit në Unionin Afrikan dhe 92 vende me të ardhura të ulëta. Kjo përfaqëson blerjen dhe dhurimin më të madh ndonjëherë të vaksinave nga një vend i vetëm dhe një angazhim nga populli amerikan për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve në të gjithë botën nga COVID-19.

Njoftimi për dërgimin e vaksinave në Kosovë ndodhë në një periudhë kur vendi po përballet me një situatë të rënduar me pandeminë e COVID-19.

Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, vetëm gjatë 18 ditëve të muajit gusht janë regjistruar 12 mijë e 276 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, që paraqet numër shumë më të lartë se sa tre muajt paraprak së bashku.

Vetëm të mërkurën autoritetet në Kosovë konfirmuan 2 mijë e 110 raste të reja të të prekurve nga COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë dhënë 622 mijë doza, ndërsa 215 mijë qytetarë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë.