Lidhja Demokratike e Kosovës po e vlerëson të dobët menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 nga ana e Qeverisë.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se masat e fundit që Qeveria e Kosovës mori për frenimin e COVID-19, janë të vonshme.
“Qeveria e Kosovës deri më sot ka vaksinuar vetëm 10 për qind të popullatës me dy doza, këto janë të dhëna tejet të ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Para pak ditësh qeveria ka marrë vendimin për disa masa shtesë që përveç që janë të vonuara, nuk ka një plan të mirëfilltë për vaksinimin e pjesës së mbetur te popullatës”, ka thënë ajo në një konferencë për medie.
Ndërsa, kandidimi i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Komunës së Prishtinës, LDK thotë se është shqetësuese.
Mjekiqi tha se është situatë e rëndë, aq më tepër nëse kreu i dikasterit të shëndetësisë angazhohet në një aktivitet tjetër.
“Pritjet më të mëdha në këtë kohë të pandemisë janë pikërisht nga ministri i Shëndetësisë, i cili sipas informatave edhe zyrtarisht do jetë kandidat për Komunën e Prishtinës. Në një moment të tillë personi kyç në këtë ministri do të jetë pjesë e fushatës dhe do përkushtohet edhe pozicionit të ri nëse zgjidhet. E shohim tejet shqetësues këtë. Kemi rritje jashtëzakonisht të madhe të përqindjes së qytetarëve të infektuar të qytetarëve, por këto vendime i merr VV-ja, ne shpresojmë që shëndeti i qytetarëve të jetë parësor dhe të ruhet deri të shohim që rreziku nga pandemia nuk do të kanoset më”, deklaroi ajo.
Ndërsa, Izet Sadiku nga LDK, e quajti papërgjegjësi të Qeverisë dhe të vetë ministrit Vitia, kandidimin e këtij të fundit.
“Po e lë këtë situatë dhe po kandidohet për kryetar të komunës, kjo është mospërgjegjësi nga ministri që ka dhënë fjalë se do ta luftojë dhe nga partia”, ka thënë ai.
Sadiku kërkoi që të ketë vaksinim masiv dhe fushata të vazhdueshme lidhur me vaksinimin.
E për këtë të fundit, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot kritikoi Qeverinë që në ditët e fundjavës po i mbyll qendrat e vaksinimit, në kohën kur shifrat me të infektuar janë alarmante.