Mbi 60% e gastronomëve të vaksinuar, presin masat e reja

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje paraditen e së mërkurës, por asgjë nuk u diskutua rreth masave të reja të cilat janë paralajmëruar. Ndër masa, u përmenden zgjatja e orarit të punës për lokalet e gastronomisë e klubet e natës, si dhe kufizime për qytetarët e pavaksinuar.
Hyrja në këto lokale nga 20 gushti u paralajmërua se do të jetë i mundur vetëm me librezën që dëshmon se qytetari të paktën ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID. Infektologët shpresojnë që të njëjtat masa të funksionojnë, pasi aktualisht në klubet e natës ka shumë njerëz dhe pa distancë.Siç bëhet e ditur, identifikimi i qytetarëve të vaksinuar pritet të bëhet edhe përmes QR Code. Këto masa janë mirëpritur nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit dhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, të cilët premtojnë se po bëjnë të pamundurën nga ana e tyre që masat kurdo që ato zyrtarizohen të respektohen dhe të parandalojnë një mbyllje të serishme të ekonomisë.Me hyrjen në fuqi të këtyre masave të paralajmëruara, klubeve të natës do t’u mundësohet operimi përtej orës 23:00, më saktë deri në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa zgjatje të orarit të punës do të ketë edhe për lokalet e gastronomisë.Visar Demolli, drejtor ekzekutiv në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, tregon se është paraparë edhe vaksinimi i tërësishëm i stafit të cilët punojnë në sektorin e gastronomisë.Ai thotë se këto masa janë përkrahur edhe nga vet ata, me qëllimin e vetëm që të shmanget një tjetër mbyllje.“Gastronomë, hotelierë, kamerierë, banakierë, kuzhinierë, shefa, duhet të kenë të paktën dozën e parë të vaksinës. Është shumë e lehtë dhe kemi bërë apel. Jemi duke bërë një fushatë vetëdijesimi që duhet t’i kenë ato për shkak të shëndetit dhe për shkak të mundësisë së rimbylljes të serishme në shtator apo tetor. E dyta, është edhe për klientët, për mysafirët të cilët i frekuentojnë restorantet, baret, diskotekat, klubet e natës me një fjalë edhe salla dasmash nga data 20 gusht duhet ta kenë edhe ata të paktën dozën e parë të vaksinimit që të hyjnë në këto ambiente. E treta është që jemi dakorduar që për klube nate ta zgjatim orarin nga ora 23:00 deri në orën 03:00 pas mesnate”, u shpreh Demolli.Deri më tash, Demolli potencon se janë mbi 60 përqind e stafit të sektorit të gastronomisë të vaksinuar, derisa thekson se një rimbyllje e sërishme do të ishte fatale për ta.“Mbi 63 përqind e stafit është vaksinuar … po shpresojmë që shumë shpejt do të kryhen dozat e para, se kemi dalë edhe vet në vizita dhe jemi duke bërë një vetëdijesim se pse duhet të bëhet vaksinimi. Shkurt, qëllimi ynë është që të mos ketë më një vendim të rimbylljes së serishme se ajo do të ishte fatale për ne, ishim mbështetur për muri se nuk kishim mundur t’ia dalim”, thekson ai.Këto masa janë mirëpritur edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ku përfaqësuesi nga kjo shoqatë Arian Vranica, potencon se janë pajtuar që vetëm vaksinimi mund të eliminojë opsionin e mbylljes pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19.Sa i përket verifikimit të qytetarëve të vaksinuar që frekuentojnë lokalet e gastronomisë, Vranica thotë se secili lokal duhet ta caktojë një përgjegjës që do të kryejë këtë verifikim.“Kanë qenë disa variante të ndryshme të masave të cilat mund të aplikoheshin dhe duke dashur të evitojmë një mbyllje eventuale ne jemi pajtuar se vaksinimi është e vetmja zgjidhje, në mënyrë që të dalim nga kjo gjendje me pasoja sa më të lehta si për shëndetin publik, si për shëndetin ekonomik. Ndoshta nuk ka qenë më e lehta si lloj kompromisi që të bëhet në raport me këto masa, sepse kemi një kohë relativisht të shkurtër për të mundësuar operimin e të gjithë sektorit të gastronomisë dhe të pajisjes së tyre me vaksina… Ka qenë një masë e cila ndër të gjitha variantet ka qenë varianti më i mirë dhe më i përshtatshëm për funksionimin e ekonomisë në përgjithësi”, thotë Vranica.Duke qenë se ditëve të fundit është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19, e sidomos shtimi i rasteve me variantin Delta, marrja e këtyre masave sipas infektologut Ilir Tolaj është e vetmja zgjidhje që të frenohet infektimi i popullatës.Ai tërheq vëmendjen se nuk ka distancë në klube nate si dhe duhet të shmanget qëndrimi për kohë të gjatë në një ambient të mbyllur i shumë njerëzve njëkohësisht.“Çfarë kishin mundur të bëjnë autoritetet në këtë rast për pengimin e përhapjes masive të variantit Delta ndoshta që të kufizohej në vendet ku po grumbullohen me mijëra njerëz për kohë të gjatë në ambiente të mbyllura siç janë klubet e natës, të cilat edhe me gjasë janë vendi kryesor ku tash po përhapen këto infeksione. Në anën tjetër gjithashtu të kufizojnë edhe numrin në lokale, në kafiteri ku po shihet që nuk ka asnjë lloj kufizimi as të distancës. Në qoftë se këto pak veprime do të bëheshin atëherë mendoj që rrjedhimisht do ta ngadalësonin përhapjen e variantit delta dhe do t’i jepte kohë vaksinimit që ta bëjë punën e vet”, potencon Tolaj.Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 562 raste të reja me COVID-19, ku janë shënuar edhe dy raste të vdekjes.