Ftesa për pjesëmarrjen e këngëtarit serb, Goran Bregoviç shkaktoi reagime të shumta në mënyrë që kjo mos të lejohet.
Ndërkohe, prej shumë reagimeve ende nuk dihej se kush ka qenë iniciatori për t’i bërë ftesë Bregoviç.
Administratori i ‘Birra Korça’, Dhimitri Zonja i pyetur sot lidhur me ‘Festën e Birrës’ dhe pjesëmarrjen e këngëtarit serb, Goran Bregoviç në këtë aktivitet ka sqaruar për televizionin ‘News24’ se i gjithë aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës dhe është pikërisht ajo që vendos dhe për të ftuarit.
“Këto ditë ka pasur disa spekulime dashakeqe lidhur me ftesën që i është bere këngëtarit serb Goran Bregoviç për të qenë pjesëmarrës në festën e përvitshme të birrës në qytetin e Korçës. Ne e dimë se festa e birrës në Korçë identifikohet si festa e Birrës Korça që është simbol i qytetit, por ky aktivitet nuk organizohet prej nesh. Është bashkia Korçë që vendos për gjithçka që ka të bëjë me festën, përfshirë edhe listën e të ftuarve. Ne jemi një nga subjektet pjesëmarrëse që kemi obligim përfaqësimin sa më dinjitoz të produkteve tona që i kanë sjellë Korçës këtë festë”, ka deklaruar administratori i ‘Birra Korça’.
Përndryshe, shumë nga artistë të estradës kanë kërkuar bojkot të këtij Festivali, madje ka prej tyre që e kanë anuluar ftesën e tyre duke mos pranuar për të performuar aty.