VV jep sinjale se Arben Vitia mund të jetë kandidat për Prishtinën

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është paralajmëruar se do të jetë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë.
Egzon Azemi, sekretar i kësaj qendre, tha se zyrtarizimi do të bëhet, duke respektuar afatet e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Sa i përket kandidatit për kryetar, ende nuk është zyrtarizuar nga organet e Lëvizjes që e kanë këtë kompetencë, mirëpo, kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve është që të jetë një nga ministrat më të mirë të kësaj qeverie, e besoj se shumë shpejt do të jetë publike”, thotë Azemi për ATV.

Mes tjerash, Azemi ka thënë se Vetëvendosja në Prishtinë është gati për 17 tetorin, derisa shtoi se kohëve të fundit kanë punuar në listën për asamble komunale.

Ndërkohë, derisa Arben Vitia do t’i hyjë garës për të parin e Prishtinës, po raportohet se njëri nga emrat e mundshëm për ta zëvendësuar atë në postin e ministrit është Haxhi Avdyli nga Lista “Guxo”.

16 gushti është afati i fundit kur partitë politike duhet t’i zyrtarizojnë kandidatët e tyre për kryetarë komunash për zgjedhjet e 17 tetorit.Deri më tani për kryetar të Prishtinës janë zyrtarizuar kandidatët Daut Haradinaj nga AAK-ja, Uran Ismaili nga PDK-ja dhe Përparim Rama nga LDK-ja.