Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se java e fundit e muajit korrik do të karakterizohet me mot të nxehtë dhe me vapë, si pasojë e prezencës së masave të nxehta ajrore nga Afrika Veriore.
Do të ketë rritje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 14-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 34-36 gradë Celsius. Nuk përjashtohen mundësitë që në disa zona të ketë riga shiu të karakterit lokal, por jo në sasi të mëdha.Indeksi ultraviolet (UV) do të shënojë vlera të larta dhe kujdesi nga kontakti direkt me rrezet e diellit mundësisht të jetë sa më i kufizuar (ora 10-17). Do të fryjë erë nga drejtimet e ndryshme e lehtë deri mesatarisht e fortë.Vendet fqinjë, si Lugina e Preshevës, Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Mali i Zi, parashihen me temperatura më të larta se sa në territorin tonë. Maksimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 38-41 gradë Celsius.