Manifestimi qendror i faljes së Namazit të Kurban Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Prej aty besimtarëve myslimanë u është drejtuar Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka folur për rëndësinë e familjes në shoqëri, transmeton klankosova.tv.
“E kemi për obligim fetar por edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen. Ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të. Për ne familja është e shenjtë prej secilës varet edhe vazhdimësia e jetës dhe llojit njerëzor mbi tokë. Familje ose fole familjare është vetëm ajo e cila është ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përben një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë së shëndoshë islame dhe humane. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe forca dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit”, është shprehur ai.
“Nismat dhe qëndrimet për ta goditur familjen janë në kundërshtim të plotë me misionin e njeriut në këtë botë, janë kundër vullnetit të Krijuesit të Gjithësisë dhe kundër natyrshmërisë së njeriut. Andaj në këto kohë nuk duhet tundur pas nismave gjoja moderne për të dëmtuar familjen. Aq më tepër kur gjatë historisë është dëshmuara se shoqëria jonë nuk është shoqëri diskriminuese por kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe natyrshmërinë e njeriut nuk mund të heshtim dhe të tregohemi indiferent ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit jetësor dhe kundër vullnetit të Zotit”.