Kurti uron Kurban Bajramin: Të festojmë familjarisht e me miq, por duke ruajtur higjienën e distancën sociale

Kryeministri Albin Kurti ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, me të nisur ceremonia e faljes së namazit të kësaj feste.
“Të dashur besimtarë myslimanë, ju uroj lumturi e gëzim në festën e sakrificës, Kurban Bajramin. Sakrificën që bëhet për qëllim të mirë, e don Zoti, e don edhe shoqëria. Sakrifica e bërë për qëllim të mirë na i gëzon zemrat”, është shprehur Kurti.“Ne humbasim diçka, por fitojmë shumë. Ky është mesazhi i kësaj feste, që ka edhe më shumë domethënie për popujt siç jemi ne, pra jo të mëdhenj e jo të pasur. Me sakrificat tona të përbashkëta, me angazhim e shpresë, me solidaritet e dashamirësi, ne do ta bëjmë Kosovën shtet më të fortë dhe shoqëri më të begatë.Për hajr Bajramin”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për respektim të masave si distance sociale meqë vendi dhe bota ende përballet me pandeminë e COVID-19.

“Të dashur myslimanë që sot po festoni. Është viti i dytë që këtë festë e kalojmë në kushtet e një rreziku global prej pandemisë, gjë që ka pamundësuar edhe pelegrinazhin e haxhit, për shkak të masave shëndetësore të marra nga Arabia Saudite. Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër”.

Sipas Kurtit, Kurban Bajrami mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, duke ruajtur higjienën e distancën sociale.