Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka njoftuar se me 15 qershor fillon vaksinimi masiv kundër COVID-19 në Kosovë. Në këtë pjesë fillimisht do të bëhet vaksinimi i mësimdhënësve, shërbimeve të sigurisë dhe kategoritë e tjera të fazës së tretë.
Gjatë ditës së sotme Metro ka dërguar disa pyetje në MSH, në lidhje me procesin e vaksinimit, ku njëra ndër pyetjet e shtruara ka qenë se edhe cili është plani i procesit të vaksinimit.
MSH ka thënë se kanë hartuar dhe aprovuar Planin e Veprimit për vaksinimin e popullatës në masë me vaksinën kundër COVID-19 dhe i njëjti plan është i publikuar edhe në ueb faqe të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në kuadër të Planit të Veprimit parashihet rritja e kapaciteteve në resurse humane, që nënkupton rritjen e ekipeve të vaksinimit nga 89 sa janë aktualisht në 279, është përfunduar konkursi për 422 infermierë shtesë, do të angazhohen edhe 190 specializantë në vaksinim, janë siguruar pajisjet e nevojshme mbrojtëse për stafin, vaksina janë siguruar aktualisht dhe pritet ardhja edh e vaksinave të tjera, është ndërtuar Moduli i vaksinimit në Sistemin e Informimit Shëndetësor si dhe janë shtuar hapësirat e reja të vaksinimit në 30 komuna të Kosovës. Gjithashtu, janë kryer edhe përgatitje të tjera logjistike që procesi të nis javën tjetër”, ka thënë nga MSH për Metron.
Tutje në përgjigjen e tyre nga Ministria kanë treguar se cilat kategori do të fillojnë të vaksinohen nga data 15 qershor.
“Sa u përket kategorive, ato janë të përcaktuara në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 ku në fazën e dytë është duke u bërë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç. personave me sëmundje kronike, për të vazhduar më pastaj me mësimdhënësit, shërbimet e sigurisë që janë të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 dhe pastaj me kategoritë e radhës sipas fazën tjetër (fazës III)”, është thënë ndër tjerash për Metron.
Ministria ka treguar edhe sa vaksina antiCOVID ka Kosova deri më tani gjithsej.
“Aktualisht Kosova ka në dispozicion një numër të konsideruar të vaksinave sepse deri tash janë pranuar tre kontigjente të vaksinave përmes mekanizimit COVAX mbi 160 mijë vaksina dhe janë pranuar edhe gjashtë kontigjente të vaksinave nga BE, sikurse edhe 10 000 vaksina donacion nga Kroacia. Vaksina të tjera do të ketë nga kontrata e MSh-së me Pfizer”, është thënë nga MSH.